Politikani i Partisë Laburiste, Andy Burnham, ka fituar zgjedhjet e pjesshme në zonën e Makerfield, duke hapur rrugën për një sfidë të mundshme ndaj kryeministrit britanik dhe liderit laburist, Keir Starmer.
Burnham siguroi pothuajse 25 mijë vota, duke mposhtur kandidatin e Reform UK, Robert Kenyon, me më shumë se 9 mijë vota diferencë.
Fitorja e tij konsiderohet një sukses i madh politik dhe një sinjal i fortë për të ardhmen e Partisë Laburiste, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Në fjalimin e pranimit të rezultatit, Burnham tha se “të gjithë e dinë se politika nuk po funksionon” dhe shtoi se “kjo natë mund të jetë pikë kthese”.
Ai gjithashtu paralajmëroi Partinë Laburiste se kjo është “mundësia e fundit për të ndryshuar”, duke theksuar se “nuk do të ketë një shans të dytë”.
Burnham kishte deklaruar më herët se do të hynte në garë për drejtimin e Partisë Laburiste nëse do të hapej një proces zgjedhor për liderin e partisë.
Fitorja e tij në Makerfield e forcon ndjeshëm pozitën si një nga rivalët kryesorë të Starmerit.
Ndërkohë, Partia Konservatore fitoi bindshëm zgjedhjet e pjesshme në Aberdeen South, ndërsa Scottish National Party arriti të mbajë zonën e Arbroath and Broughty Ferry.



