
Asambleja e Kryeqytetit ka miratuar hyrat komunale për vitin 2024, në vlerë prej 28 milionë euro.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm për funksionimin financiar të komunës, por ka kërkuar gjithashtu që Ministria e Financave të zhbllokojë mjetet që ende nuk janë alokuar.
Rama tha se ministri në detyrë duhet ta mbajë fjalën për alokimin e mjeteve të miratuara sot, ndërsa kujtoi se 35 milionë euro të tjera – 25 milionë të hyra vetanake dhe 10 milionë euro nga një grant qeveritar – vazhdojnë të mbeten të bllokuara pa asnjë arsye procedurale.
“Miratohen në Asamblenë e Kryeqytetit hyrat e vitit 2024 në vlerë prej 28 milionë euro. Uroj që ministri në detyrë ta mbajë fjalën për alokimin e mjeteve të votuara sot. Si dhe 25 milionë të hyrat vetanake dhe 10 milionë grant qeveritar, gjithsej 35 milionë euro që ende mbahen të bllokuara dhe që nuk kërkojnë asnjë procedurë në Asamble, por vetëm vullnetin e ministrit për miratim”, ka deklaruar Rama.
Sipas Kryetarit të Prishtinës, zhbllokimi i këtyre fondeve është i domosdoshëm për vazhdimin e projekteve kapitale dhe shërbimeve për qytetarët.



