Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës, duke marrë parasysh shpërthimin e sëmundjes PPR (Mortaja e Dhenve dhe Dhive) në disa zona të Shqipërisë, bënë thirrje për kujdes të shtuar nga fermerët në zonat kufitare të Republikës së Kosovës.
“Për të parandaluar përhapjen e sëmundjes në territorin tonë, kërkojmë që:
- Të evitoni çdo kontakt të drejtpërdrejtë të deleve dhe dhive me kafshë të ardhura nga territori i Shqipërisë;
- Të mbani kafshët tuaja të monitoruara;
- Të raportoni menjëherë te veterineri zyrtar çdo shenjë të dyshimtë të sëmundjes (ethet e larta, plagë në gojë, hundë ose sytë që rrjedhin, dobësi të përgjithshme);
- Të mos lejoni futjen e kafshëve tjera në tufat tuaja.
Zbatimi i këtyre masave është thelbësor për mbrojtjen e tufave tuaja dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjes në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë të Kosovës.



