Mediumi kombëtar britanik, BBC, ka publikuar një artikull përmes së cilit përimton performancën e mbrëmshme të Lionel Messit i cili me dy asistime siguroi përmbysjen e rezultatit, me ç’rast Argjentina u kthye në finale të Kupës së Botës.
Artikulli nis me Anglinë, duke thënë se kjo kombëtare “krenohet me forcën e saj fizike, ndaj në teori do të duhej t’i përshtatej përballja me një 39-vjeçar që kalon pjesën më të madhe të kohës duke ecur. Por nuk ndodhi aspak kështu”.
“Lionel Messi është më pak atletik sesa në vitet e tij më të mira, por inteligjenca e jashtëzakonshme futbollistike e kompenson rënien fizike”, thuhet në shkrimin e BBC-së.
“Ndërsa Anglia humbi kontrollin e gjysmëfinales së Kupës së Botës për shkak të lodhjes dhe ndryshimeve taktike të Thomas Tuchel gjatë ndeshjes, Messi lëvizi me qetësi dhe autoritet, duke shërbyer praktikisht si trajneri i Argjentinës brenda fushës”.
Në pjesën e parë, Anglia ushtroi presion të lartë. Sipa BBC-së, për Argjentinën, pasimet më të lehta dukeshin në qendër të fushës, por aty ranë fillimisht në kurthin e Anglisë.
“Jude Bellingham luante më i tërhequr nga sa pritej dhe nuk ishte në vijën e parë të presionit. Ai kishte për detyrë të ndiqte Enzo Fernandezin, ndërsa Declan Rice kontrollonte Alexis Mac Allister. Elliot Anderson ishte ngarkuar të markonte Messin”.
“Qëllimi i Anglisë ishte ta dominonte fizikisht Argjentinën kur kampionët e botës përpiqeshin të ndërtonin lojën përmes qendrës”.
Epo, në skenë del Messi. Sërish tetë herë Topi i Artë ndryshon rrjedhën e lojës.
“Gradualisht, Messi, Fernandez dhe Mac Allister filluan të përfshiheshin gjithnjë e më shumë në lojë. Messi nisi të tërhiqej më thellë në fushë, duke i krijuar Andersonit një dilemë: sa larg duhej ta ndiqte?
“Edhe ecja karakteristike e Messit u bë një armë mashtruese. Ai dukej sikur ishte pothuajse i palëvizshëm dhe, papritur, shpërthente drejt topit”.
“Mbrojtësit duhej të reagonin në moment, ndërsa kjo i dha avantazh Argjentinës, sidomos kur presioni i Anglisë filloi të zbehej për shkak të lodhjes”.
“Me lojtarët që zbrisnin për të marrë topin, Argjentina filloi të ngjitej në fushë si një bllok i vetëm dhe mori kontrollin e ndeshjes”.
Fillimisht dukej që mesfusha angleze po funksionionte mirë, sipas artikullit, me Andersonin që fitonte duelet dhe neutralizonte Messin…por, vjen përmbysja.
Në fillim mesfusha angleze funksionoi mirë. Anderson ishte agresiv, fitonte duelet dhe e neutralizonte Messin.
“Anglia kaloi në avantazh në minutën e 55-të përmes Anthony Gordonit dhe e mbajti epërsinë për rreth 30 minuta”.
“Në minutën e 85-të, Enzo Fernandez barazoi me një goditje të shkëlqyer pasi Messi e gjeti me një pasim pranë zonës. Në kohën shtesë, Lautaro Martinez shënoi me kokë pas një krosimi perfekt të Messit, duke i dhënë fitoren Argjentinës”.
“Nga goli i Gordonit deri te barazimi, Anglia pati vetëm 12% të posedimit të topit, duke kaluar pothuajse të gjithë pjesën e dytë në mbrojtje. Ishte një duel mes sulmit të Argjentinës dhe mbrojtjes së Anglisë, e cila rezistoi për një kohë, por në fund u dorëzua”.
Artikulli më pas kthehet te Messi. Si e shfrytëzoi ai agresivitetin e Andersonit i cilinë fillim dukej sikur po korrte sukses ndaj argjentinasit?
“Në fillim Anderson pati sukses ndaj Messit, por argjentinasi u përshtat gjatë lojës. Messi filloi ta përdorte agresivitetin e Andersonit kundër tij. Ai e mbante topin deri në momentin e fundit, e tërhiqte Andersonin jashtë pozicionit dhe më pas pasonte me një prekje të shpejtë te një shok skuadre, duke krijuar hapësira aty ku Anderson kishte lënë boshllëk”.
“Kjo ndodhi edhe te goli i barazimit. Pas një kombinimi nga një goditje këndi të shkurtuar, Messi dribloi drejt qendrës. Anderson doli nga pozicioni për ta ndaluar së bashku me një tjetër mbrojtës.
“Messi priti me zgjuarsi derisa tërhoqi disa lojtarë drejt vetes dhe vetëm atëherë pasoi për Fernandezin, i cili kishte kohë dhe hapësirë të mjaftueshme për të goditur pa presion”.
“Anglia u përqendrua në mbrojtjen e qendrës për të ruajtur avantazhin. Messi e kuptoi këtë dhe u largua nga qendra. Ai vendosej aty ku krijohej hapësira: ose përpara bllokut mbrojtës të Anglisë ose pranë vijës së djathtë. Nga ato pozicione ai ose merrte topin pa u shqetësuar, ose tërhiqte mbrojtësit drejt vetes, duke çrregulluar organizimin anglez dhe duke krijuar hapësira për shokët”.
“Pozicionet e tij ishin të pazakonta, por i dhanë kontroll të plotë mbi ritmin e ndeshjes falë driblimit dhe pasimeve të tij”.
“Edhe pse Bellingham ishte shumë i mirë në sulm gjatë turneut, pozicionimi i tij në mbrojtje krijoi probleme Në skemën 4-4-2, sulmuesi më pranë krahut duhet të ndihmojë në mbrojtjen e zonave anësore. Në krahun e djathtë të Argjentinës, kjo ishte detyra e Bellingham. Messi vuri re se ai shpesh mbetej shumë lart ose ndiqte topin, ndaj zinte pozicion në hapësirën pas tij”.
“Kjo e ndihmoi Argjentinën të mbante sulmet gjallë dhe të krijonte situata të favorshme në krahun e djathtë. Shpesh Messi dhe një shok skuadre ishin dy kundër dy, por kur bashkohej edhe mbrojtësi i krahut, krijohej epërsi numerike tre kundër dy, sepse Bellingham nuk arrinte të kthehej në kohë”.
Pjesa tjetër e shkrimit i rezervohet shkatërrimit taktik që ia bëri Argjentina selektorit të Anglisë, Thomas Tuchel.
“Argjentina sillte shumë lojtarë në zonë gjatë krosimeve. Për këtë arsye Thomas Tuchel kaloi në një mbrojtje me pesë lojtarë, duke kërkuar barazi numerike në zonë. Por kjo i përshtatej planit që Messi kishte zgjedhur. Me pesë mbrojtësit anglezë të ngujuar pranë portës, tre mesfushorët nuk arrinin të mbulonin gjerësinë e fushës”.
“Messi e kuptoi menjëherë këtë dhe luajti më pranë portës, por ende në krahun e djathtë. Pas zëvendësimit të Declan Rice me Nico O’Reilly, Anglia kaloi në 5-4-1, duke mbuluar më mirë krahët. Megjithatë, problemi u zhvendos te Bellingham, i cili luante tashmë si mesfushor mbrojtës”.
“Instinkti i tij ishte të qëndronte shumë pranë mbrojtjes dhe më pas duhej të bënte vrapime të gjata për të dalë te mesfushorët argjentinas. Ai nuk arrinte të ushtronte presion në kohë dhe Argjentina e qarkullonte topin nga e majta në të djathtë, aty ku Messi vazhdonte të bënte diferencën. Pozicionimi i thellë i Bellingham i dha Fernandez kohë për të gjuajtur nga distanca pa presion, duke fituar këndin nga i cili Argjentina barazoi”,
“Ndërkohë, trajneri Lionel Scaloni ndryshoi rolet e Fernandezit dhe Mac Allisterit, i dha këtij të fundit më shumë liri për të hyrë në zonë, futi në lojë Nico Gonzalezin, Lautaro Martinezin dhe Rodrigo De Paulin, duke e bërë Argjentinën shumë më të rrezikshme në ajër”.
“Scaloni dhe Messi krijuan një strukturë sulmuese që i jepte Argjentinës qasje të vazhdueshme në krahun e djathtë, me krosime cilësore dhe sulmues të fortë në lojën ajrore”.
“Për gati gjysmë ore, Anglia u përball me valë të pandërprera sulmesh. Me lojtarët anglezë të lodhur, shumë prej tyre jashtë pozicioneve natyrale dhe përballë sulmeve të udhëhequra nga një prej futbollistëve më të mëdhenj të historisë, nuk ishte aspak surprizë që Argjentina prodhoi periudhën e saj më dominuese në aspektin sulmues gjatë gjithë turneut”.



