Deklarata skandaloze e Paunoviqit, eurodeputeti çek: Serbia të përjashtohet nga negociatat me BE-në

Deklaratat e ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, kanë nxitur reagime të ashpra në Bashkimin Evropian.

Eurodeputeti çek Tomas Zdechovsky ka dënuar fuqishëm retorikën e saj, duke kërkuar që ajo të ketë pasoja konkrete në procesin e integrimit evropian të Serbisë.

Zdechovsky tha se mbeti i tronditur nga deklaratat e zyrtares së lartë të Qeverisë së Serbisë, duke vlerësuar se ato bien ndesh me parimet dhe vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.

“Isha plotësisht i shokuar nga ajo që dëgjova nga ministrja e Serbisë. Nuk ishte vetëm tronditje, por diçka krejtësisht e papranueshme. Nëse kjo grua është vërtet ministre, ne duhet ta nxjerrim Serbinë nga negociatat”, deklaroi eurodeputeti çek transmeton Klankosova.tv.

Duke e ilustruar seriozitetin e situatës, ai e krahasoi retorikën e Paunoviqit me relativizimin e krimeve naziste pas Luftës së Dytë Botërore.

“Është sikur dikush, pasi viziton Aushvicin pas Luftës së Dytë Botërore, të thotë se Hitleri ishte zgjidhja më e mirë për çështjen hebraike. Kjo është plotësisht e papranueshme”, u shpreh Zdechovsky transmeton Klankosova.tv.

Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të reagojë qartë dhe pa ekuivok ndaj deklaratave të tilla, duke mos lejuar që gjuha që nxit urrejtje ose relativizon krimet të tolerohet në vendet që synojnë anëtarësimin në bllok.

“Duhet të dërgojmë një mesazh të qartë: askush me këtë lloj retorike nuk do t’i bashkohet Bashkimit Evropian”, theksoi ai.

Reagimi i eurodeputetit vjen në mesin e kritikave ndërkombëtare ndaj ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila është përballur me dënime të shumta për deklaratat e saj lidhur me Kosovën, të cilat janë cilësuar si nacionaliste dhe nxitëse.

Deklaratat e saj kanë rihapur debatet për përputhshmërinë e diskursit politik në Serbi me standardet dhe vlerat që kërkon Bashkimi Evropian nga vendet kandidate për anëtarësim.

Latest news
Related news