Çdo i 20-ti pacient në Kosovë infektohet në spital (VIDEO)

Çdo vit, rreth 4.3  milionë pacientë në spitalet e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perendimor preken nga infeksionet spitalore.

Sipas raportit të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve të realizuar gjatë periudhës 2022-2023 në mbi 1 mijë e 600 spitale, gati çdo i 14-ti pacient i shtruar në spital preket nga këto infeksione, apo 6.2 % e pacientëve.

Infeksionet më të shpeshta, raporti nxori se janë ato të traktit respirator, traktit urinar, të vendit ku është operuar dhe infeksionet e gjakut.

Në këtë raport është përfshirë edhe Kosova, por ECDC-ja nuk dha të dhëna të veçanta për gjendjen në spitalet dhe klinikat e Kosovës.

Një pasqyrë për situatën në vend e nxori punimi i 9 studiuesve të udhëhequr nga mikrobilogu, Lul Raka, i realizuar në vitin 2016, e i publikuar në vitin 2019.

Sipas, studimit për infeksionet spitalore dhe përdorimin e anitmikrobikëve në spitalet e Kosovës, në shtatë spitalet rajonale të Kosovës dhe në Klinikat e QKUK-së, prevalenca e infeksioneve spitalore ishte 4.9 për qind.

Shkalla më e lartë ishte në QKUK, 7.2 për qind e pacientëve të cilit ishin trajtuar në klinikat e këtij institucioni, të paktën një herë ishin prekur nga infeksionet spitalore.

Kjo shkallë ndiqej nga Spitali i Pejës me 5.6 për qind dhe nga ai i Gjakovës me 2.4 për qind.

Pra, gati çdo i njëzeti pacient që është trajtuar në këto institucione shëndetësore, ka marrë infeksion aty, qoftë gjatë operacionit, pajisjet apo ambienti i spitalit.

Sipas këtij studimi, infeksionet më të shpeshta ishin ato të plagës kirurgjikale, infeksionet e gjakut dhe ato të traktit urinar.

Gjetje tjetër e këtij hulumtimi ishte edhe përdorimi i madh i antibiotikëve, sipas të cilit, rezulton se mbi 56.8 për qind e pacientëve të anketuar kishin përdorur antibiotikë.

Sipas raportit vjetor të punës së Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, nga mbikëqyrja sanitare e stafit të spitaleve dhe klinikave në Kosovë, rezultoi se në rreth 1 mijë e 700 raste ishte i infektuar stafi mjekësor ose personat tjetër të cilët mund të përhapnin sëmundje ngjitëse te pacientët.

Trajtimi i stafit shëndetësor dhe monitorimi i detajuar i praktikave në spitale ishte planifikuar nga Ministria e Shëndetësisë në planin e veprimit për Parandalimin e Infeksioneve Spitalore për vitin 2020-2021.

Ministria planifikonte po ashtu që të gjitha institucionet të kenë protokolle të detajuar dhe të kryejnë auditime periodike për parandalimin e infeksioneve spitalore, por raporti i IKShPK-së për vitin 2024, konkludoi se në spitalet e Gjilanit, Prizrenit dhe Ferizajt, nga vlerësimi i kushteve higjieniko-sanitare kishte kontaminim bakteror.

 

The post Çdo i 20-ti pacient në Kosovë infektohet në spital (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.

Latest news
Related news