Celtic ka arritur ta mbrojë titullin e kampionit në elitën e futbollit skocez, pasi në ndeshjen vendimtare të sezonit triumfoi ndaj rivalit direkt për titull, Hearts, me rezultat 3-1.
Skuadra skoceze siguroi titullin e 56-të kampion në histori të klubit, duke vazhduar rekordin si ekipi më i suksesshëm në futbollin skocez, transmeton Klankosova.tv.
Përballja vendimtare nisi më mirë për Hearts, që kaloi në epërsi në minutën e 43-të falë golit të Lawrence Shankland, duke ndezur shpresat për një triumf historik dhe titullin e parë pas 66 vitesh.
Megjithatë, reagimi i Celticut ishte i menjëhershëm.
Në minutat shtesë të pjesës së parë, Arne Engels u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke barazuar rezultatin në 1-1 dhe duke rikthyer kampionët në lojë.
Kur gjithçka po shkonte drejt një fundi dramatik dhe Hearts po i afrohej titullit të shumëpritur, në skenë doli Daizen Maeda.
Sulmuesi japonez realizoi golin e përmbysjes për Celticut, një gol që shkaktoi debat të madh pasi lojtarët e Hearts pretenduan për pozitë jashtë loje.
Në minutat e fundit të takimit, skuadra e udhëhequr nga trajneri legjendar irlandez Martin O’Neill vulosi fitoren me edhe një gol tjetër.
Callum Osmand realizoi në minutën 90+8, duke konfirmuar triumfin e madh të Celticut dhe festën e tifozëve në Glasgow.
Pas kësaj fitoreje, Celtic e mbylli sezonin në pozitën e parë me 82 pikë, ndërsa Hearts përfundoi si nënkampion me 80 pikë.



