Qytetarët e Kosovës i janë drejtuar sot, më 7 qershor, kutive të votimit për zgjedhjet e nivelit nacional, duke shënuar procesin e tretë zgjedhor parlamentar brenda një periudhe prej 16 muajsh.
Pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit 2025, vendi organizon sërish zgjedhje për Kuvendin e Kosovës. Ky proces vjen pas dështimit për të arritur konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), këto janë zgjedhjet e 11-ta në nivel nacional që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Të drejtën e votës në këto zgjedhje e kanë 2.092.174 qytetarë, përfshirë diasporën ose 15.884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025. Votimi brenda Kosovës do të organizohet në 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime.



