Dallgët e mëdha shkaktojnë tragjedi, 15 turistë humbin jetën në Vietnam

Të paktën 15 turistë nga India kanë humbur jetën pasi një varkë turistike u përmbys pranë ishullit jugor vietnamez Phu Quoc, raportuan mediat lokale duke cituar autoritetet.

Sipas raportimeve, 21 persona kanë mbijetuar nga aksidenti.

Në bord ndodheshin gjithsej 36 persona, përfshirë 32 turistë indianë, tre anëtarë të ekuipazhit dhe një shoqërues, shkruan Reuters, përcjell Klankosova.tv.

Ambasada e Indisë në Vietnam njoftoi se po monitoron situatën dhe ka ngritur qendra reagimi emergjent në qytetet Ho Chi Minh dhe Hanoi për të ndihmuar familjet e prekura.

“Detajet e sakta të incidentit po verifikohen, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit nga autoritetet lokale po vazhdojnë”, thuhet në deklaratën e ambasadës, e cila e cilësoi ngjarjen si “tragjike”.

Sipas autoriteteve, varka ishte nisur nga ishulli Hon May Rut drejt portit An Thoi, kur u përmbys rreth 400 metra larg bregut.

Mediat lokale raportuan se në momentin e aksidentit kushtet detare ishin të vështira, me dallgë të mëdha në zonë.

Phu Quoc, ishulli më i madh i Vietnamit, është shndërruar në një nga destinacionet më të njohura turistike të vendit dhe vitet e fundit ka tërhequr një numër të madh vizitorësh nga India.

Latest news
Related news