Të martën, ministri i jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, në një takim me qytetarë, ka bërë një ofendim ndaj ish-presidentes Vjosa Osmani, duke thënë “Qyre, kur jena te frizerkat”, dhe fillon të qesh, të cilit i bashkëngjiten edhe të pranishmit tjerë.
Kujtojmë se termi “frizerkë” për Osmanin është përdorur nëpër grupe, faqe e profile të ndryshme që mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje, duke tentuar që ta denigrojnë pozitën e saj, transmeton Klankosova.tv.
Lidhur me këtë çështje, juristja Anita Shabani në emisionin “Kosova Today” tha se kjo fushatë linçuese bëhet më së shumti nga partia në pushtet.
“Në këto vitet e fundit, sidomos në këtë 15-vjeçarin e fundit, ne nuk kemi parë përplasje për program apo për ide, kryesisht fushata zhvillohet mbi etiketimet ndaj kundërshtarëve politikë. E dimë që përforcimin më të madh të kësaj fushate linçuese e bën Lëvizja Vetëvendosje si subjekti më i madh politik në vend”, tha Shabani në Klan Kosova.
“Deklarata e mbrëmshme e zotëri Konjufcës, përveç që është personi i dytë më i votuar në subjektin politik që vjen, është e papranueshme edhe për pozitat që ka mbajtur”, shtoi ajo.
Nga ana tjetër, profesoresha Vjosa Sadriu-Hamiti tha se është skandaloze mënyra se si Konjufca si politikan i njohur përdor një termë të tillë në një konotacion të tillë.
“Emri frizere apo frizerkë është neutral, mirëpo në konotacionin që është përdorur dje, është skandaloz, sidomos kur vjen prej një politikani si Glauk Konjufca, ku unë fillimisht nuk kam dashur ta besoj se çfarë po dëgjoj”, tha Hamiti.
Në Klan Kosova, gazetari Shkumbin Kajtazi tha se problemi nis te servilosja.
“Tek një qasje, dhe bindja që iu është krijuar Glauk Konjufcës e Albin Kurti që janë funny”, tha ai.



