Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se procesi i votimit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës ka përfunduar në orën 19:00 dhe, sipas vlerësimeve preliminare, është zhvilluar në mënyrë të rregullt në gjithë vendin, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën e katërt për media, pas mbylljes së vendvotimeve, Radoniqi tha se institucionet zgjedhore nuk kanë evidentuar raste që do të mund të ndikonin në integritetin apo besueshmërinë e procesit.
“Duke u mbështetur në komunikimet dhe raportimet që kemi pranuar gjatë gjithë ditës nga terreni, sipas vlerësimeve preliminare, procesi zgjedhor në Kosovë është zhvilluar në mënyrë të rregullt. Deri në këtë kohë që flasim, nuk janë evidentuar incidente të cilat do të mund të cenonin integritetin, besueshmërinë apo mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit”, deklaroi Radoniqi.
Ai falënderoi institucionet që kanë qenë të angazhuara gjatë ditës së zgjedhjeve për mbarëvajtjen e procesit.
“Në emër të KQZ-së, falënderojmë institucionet e ndryshme për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si: Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, si dhe KEDS-in për trajtimin në kohë të shpejtë të rasteve të paraqitura”, tha ai.
Radoniqi shprehu mirënjohje edhe për personelin e angazhuar në procesin e votimit jashtë vendit.
“Dua ta shfrytëzojë këtë konferencë për të falënderuar në emër të KQZ-së edhe shefat dhe stafin e misioneve diplomatike dhe anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve për angazhimin e tyre gjatë ditës së shtunë në procesin e votimit të organizuar jashtë vendit”, u shpreh kryetari i KQZ-së.
Sipas të dhënave preliminare të prezantuara nga KQZ, bazuar në raportimet nga mbi 98 për qind e vendvotimeve, deri në mbylljen e procesit të votimit kanë votuar 712 mijë e 148 qytetarë, apo 36.33 për qind e votuesve me të drejtë vote.
“Duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga mbi 98% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 19:00 është 712 mijë e 148 votues apo 36.33% nga 1 milionë e 959 mijë e 962 votues”, tha Radoniqi.
Ai rikujtoi se në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 28 dhjetor 2025, pjesëmarrja kishte qenë më e lartë.
“Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, kishin votuar 44.99% apo 899 mijë e 517 votues nga 1 milionë e 999 mijë e 204 votues”, theksoi ai.
Kryetari i KQZ-së bëri të ditur se pas mbylljes së vendvotimeve ka nisur procesi i numërimit të fletëvotimeve për subjektet politike, duke e cilësuar atë si një fazë kyçe të ditës zgjedhore.
“Njoftojmë se aktualisht në shumë prej vendvotimeve ka filluar numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike. Ky është një hap kyç në përmbylljen e ditës së zgjedhjeve dhe zhvillohet sipas procedurave të përcaktuara me ligj dhe rregulloret e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, deklaroi Radoniqi.
Ai u bëri thirrje anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve që procesi i numërimit të zhvillohet me profesionalizëm dhe paanshmëri.
“U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve që të veprojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar në përpikëri të gjitha procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësisht”, tha ai.
Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare do të publikohen në platformën për rezultate menjëherë pas përfundimit të numërimit në secilin vendvotim.
Ndërkaq, nga ora 19:00 ka nisur edhe afati prej 48 orësh për paraqitjen e ankesave në Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me procesin e votimit.
KQZ njoftoi se koha e saktë e konferencës së radhës, ku do të publikohen rezultatet e përmbledhura preliminare të subjekteve politike, do të bëhet e ditur më vonë.





