Ylli i Manchester Cityt dhe kombëtares së Belgjikës, Jeremy Doku, është bërë baba për herë të parë.
Federata Belge e Futbollit ka konfirmuar se 24-vjeçari dhe bashkëshortja e tij, Shireen, kanë mirëpritur në jetë një djalë të cilit i kanë vendosur emrin Praise.
Doku mori leje të veçantë nga grumbullimi i Belgjikës të cilët gjenden në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kampionatin Botëror, për të udhëtuar drejt Londrës dhe për të qenë pranë familjes në momentin e lindjes.
Sipas federatës, vendimi u mor në koordinim me stafin mjekësor pasi lojtari ishte njoftuar paraprakisht për afërsinë e lindjes.
View this post on Instagram
“Gjithçka shkoi shumë mirë dhe nëna, babai dhe fëmija janë në gjendje të shkëlqyer,” deklaroi mjeku i kombëtares, Brahim Hacene, duke konfirmuar se Doku do t’i bashkohet sërish ekipit në Seattle.
Anësori belg kishte munguar edhe në disa seanca stërvitore për shkak të një infeksioni respirator, por gjendja e tij u vlerësua e qëndrueshme dhe pa rrezik për udhëtim.
Largimi i tij i përkohshëm kishte shkaktuar diskutime në media, por lojtari zgjodhi të fokusohet te familja në një moment të rëndësishëm të jetës së tij.
Rikthimi i Doku-t pritet të jetë një shtysë e rëndësishme për belgët, të cilët kanë vuajtur në fazën sulmuese gjatë mungesës së tij.
Në aspektin sportiv, Belgjika nuk ka nisur mirë turneun, me dy barazime ndaj Egjiptit dhe Iranit. Skuadra e drejtuar nga Rudi Garcia duhet të mposhtë Zelandën e Re në ndeshjen e fundit të grupit për të siguruar kualifikimin.



