“O mercenarë të rrenës e mashtrimit! Gjysëm ore emision në Klan, zero informacion, zero të vërteta. Ama bash zero. Ju veç gazetarë nuk jeni!”
Kësaj here duket se nuk gaboi në tri fjalitë, të cilat i shkroi në Facebook, ku gazetarët i quajti mercenarë të rrenës.
Ky etiketim u bë pasi Kiks Kosova raportoi të mërkurën (22 janar) se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, shpenzoi gati 7 mijë euro për një natë sa qëndroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Telefonatave e email-ave të Kiksit iu iku, por duket se emisionin ku kryefjalë e kishte vetë zëvendëskryeministren Gërvalla, e ndoqi, madje deri në fund.
Kështu të paktën e tha në status.
Sidoqoftë, edhe këtë të enjte Kiksi përsëri ka kërkuar të dijë detaje lidhur me vizitën zyrtare të saj në Washington.
Përmes email-it, është kërkuar të dihet se sa zyrtarë të kabinetit të saj kanë marrë pjesë, me kënd nga zyrtarët ndërkombëtarë u takua e sa harxhoi në akomodimet për hotelin e drekat dhe darkat.
Edhe këtë herë, nga ky dikaster ishin të mbyllur.
As telefonatave vetë ministrja nuk iu përgjigj.
Ani pse takimet brenda dhe jashtë shtetit realizohen me paratë publike, pra të taksapaguesve, publikimin e këtyre takimeve e shpenzimeve ajo vendosi të mos i bëjë të ditura. /Klankosova.tv
The post Donika Gërvalla “e mbyll gojën” për takimet në ShBA, “e hap” kur shan gazetarët (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.



