Dronët ukrainas godasin sërish objektet e shitësit më të madh online të Rusisë

Dronët ukrainas kanë goditur sërish depot që i përkasin shitësit më të madh online në Rusi, duke plagosur 15 persona, sipas themelueses së kompanisë dhe guvernatorëve rajonalë.

Qendrat logjistike të kompanisë Wildberries në dy qytete në jugperëndim të Rusisë u goditën nga sulmet gjatë natës, duke bërë që punonjësit të evakuoheshin, tha themeluesja e kompanisë.

Kjo është hera e dytë brenda katër ditësh që Ukraina sulmon objektet e kompanisë. Depot në Tambov dhe Elektrostal u goditën të shtunën, duke lënë tetë të vrarë dhe 62 të plagosur.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina goditi qendra logjistike në rajonet Krasnodar dhe Stavropol, të cilat, sipas tij, “janë të përfshira në furnizimin e ushtrisë ruse me komponentë për dronë, pajisje navigimi dhe pajisje të tjera ushtarake”.

Themeluesja e Wildberries, Tatyana Kim, tha se qendrat logjistike të kompanisë në Krasnodar dhe në qytetin Nevinnomyssk, në rajonin e Stavropolit, u sulmuan.

“Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë të gjitha ndjenjat dhe emocionet e shkaktuara nga sulmet ndaj njerëzve të zakonshëm, ndaj punonjësve tanë, ndaj nesh, të cilët thjesht po bëjmë punën tonë”, shkroi ajo në Telegram. “Por këto situata tregojnë gjënë më të rëndësishme: ne duhet të vazhdojmë të bëjmë atë që bëjmë për të mirën e njerëzve”.

Pesë persona u plagosën në një kompleks në periferi të Nevinnomysskut, tha në Telegram guvernatori Vladimir Vladimirov. Të gjithë morën trajtim ambulator, shtoi ai.

Dhjetë persona u plagosën në sulmin ndaj një kompleksi të depove në Krasnodar, ndërsa tre prej tyre janë në gjendje të rëndë, tha guvernatori i rajonit, Veniamin Kondratyev.

Rajoni u godit nga një “sulm masiv gjatë natës”, ndërsa mbetjet e dronëve goditën edhe territorin e një kompanie në qytetin Armavir, duke vrarë një punonjës, shtoi ai.

Administrata e qytetit njoftoi se një depo nafte u godit nga mjete ajrore pa pilot, duke shkaktuar zjarr.

Fragmentet e dronëve goditën gjithashtu dy ndërtesa banimi në Krasnodar dhe dy shtëpi private në fshatin Dinskaya, tha Kondratyev. Nuk pati të lënduar.

Zelensky tha se Ukraina goditi edhe një depo nafte, si dhe një cisternë dhe katër anije transporti të “flotës hije” ruse në ujërat e Detit të Zi dhe Detit Azov.

Rusia ka përdorur një “flotë hije” për t’iu shmangur sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj eksporteve të saj të naftës.

Latest news
Related news