Marc Marquez po shërohet aktualisht në Spitalin Ruber Internacional në Madrid, ku i janë kryer me sukses dy operacione të dielën në mëngjes.
Ekipi mjekësor, i udhëhequr nga Samuel Antuna bashkë me kolegët Ignacio Roger de Ona, Dr. Andres Maldonado, Jorge de las Heras, Raul Barco dhe Juan de Miguel, stabilizuan me sukses frakturën në metatarsalin e pestë të këmbës së djathtë të kampionit aktual, lëndim i pësuar si pasojë e aksidentit të rëndë të shtunën gjatë garës Sprint në Francë, transmeton Klankosova.tv.
Njëkohësisht, Marquez i është nënshtruar edhe një operacioni të dytë, të planifikuar që më parë, për rregullimin e një lëndimi të vjetër në supën e djathtë. Ky lëndim kishte filluar të jepte dhimbje sërish pas aksidentit të dhunshëm në Grand Prix të Indonezisë vitin e kaluar. Mjekët hoqën dy vida dhe një copë kocke nga operacioni i mëparshëm Latarjet (dhjetor 2019) që kishte lëvizur duke shtypur nervin radial.
Siç ishte njoftuar më parë, piloti i Ducati Lenovo Team nuk do të marrë pjesë në Grand Prix të Katalunjës javën e ardhshme. Ai qëndroi në spital gjatë natës së djeshme dhe sot pritet të kthehet në shtëpi për të filluar rehabilitimin. Progresi gjatë javëve në vijim do të përcaktojë kohën e kthimit të tij në gara.



