Një sulm me armë zjarri është regjistruar në Universitetin Brown në SHBA, në Providence të shtetit Rhode Island, duke shkaktuar dy viktima dhe nëntë të plagosur, ndërsa autori vijon të jetë në arrati. Ngjarja ndodhi të shtunën rreth orës 16:00 me orën lokale, në një klasë ku po zhvilloheshin provime.
Universiteti, një nga institucionet më prestigjioze në SHBA, u vendos menjëherë në bllokim, ndërsa studentëve iu kërkua të strehohen në vende të sigurta deri në shoqërimin nga policia. Sipas Spitalit të Rhode Island, shumica e të plagosurve ndodhen në gjendje “kritike, por të qëndrueshme”.
Policia ka publikuar pamje ku i dyshuari shihet duke dalë nga ndërtesa, por fytyra e tij nuk identifikohet. Zyrtarët thanë se ai ishte i veshur me të zeza dhe mund të ketë mbajtur maskë. Arma e përdorur nuk është gjetur ende.



