Ish-reprezentuesi i Anglisë, Joe Cole, ka bërë një deklaratë të fortë para gjysmëfinales së Kupës së Botës kundër Argjentinës, duke shprehur bindjen se “Tre Luanët” do ta neutralizojnë Lionel Messin dhe do të sigurojnë një vend në finale.
Pavarësisht se përballë do të kenë kampionët në fuqi të botës dhe fituesin e tetëfishtë të “Topit të Artë”, Cole beson se Anglia ka armët e duhura për të triumfuar. Sipas tij, shpejtësia e skuadrës angleze do të jetë elementi vendimtar në përballjen me “Albicelestët”.
Teksa Anglia përgatitet për një tjetër gjysmëfinale të madhe në Kupën e Botës, ish-anësori i Chelseat dhe West Hamit, duke folur në podcastin “The Rest Is Football”, u shpreh plot besim te skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel.
“Duhet ta vëmë Lionel Messin në gjumë. Dhe do ta bëjmë”, deklaroi Cole.
Edhe pasi Micah Richards e paralajmëroi të ishte më i kujdesshëm me deklaratat e tij, ish-mesfushori anglez nuk ndryshoi qëndrim.
“Do ta bëjmë, 100 për qind. Po e them tani: Anglia do të shkojë në finalen e Kupës së Botës. Kemi shumë më tepër shpejtësi se Argjentina dhe do t’i mposhtim. E ndiej në palcë!”, përfundoi ai.



