Me rikthimin e temperaturave të larta në Mbretërinë e Bashkuar, qytetarëve u është bërë thirrje të bëjnë një test të thjeshtë në frigoriferët e tyre për të shmangur rritjen e faturave të energjisë dhe prishjen më të shpejtë të ushqimit.
Sipas ekspertëve, frigoriferët që nuk funksionojnë siç duhet mund të konsumojnë më shumë energji elektrike dhe të mos mbajnë ushqimin në temperaturën e duhur, duke bërë që ai të prishet më shpejt.
Një nga shkaqet kryesore janë gominat e derës së frigoriferit. Nëse ato janë të dëmtuara ose të konsumuara, lejojnë daljen e ajrit të ftohtë dhe hyrjen e ajrit të ngrohtë, duke e detyruar pajisjen të punojë më shumë.
Sipas vlerësimeve të industrisë, gominat e dëmtuara mund të rrisin konsumin e energjisë me rreth 15-25%, pasi frigoriferi duhet të funksionojë më shpesh për të ruajtur temperaturën e brendshme të sigurt, raporton Mirror, transmeton Klankosova.tv.
Eksperti i silikonit, Guy Chapman nga United Silicones, thotë se gominat e derës janë ndër pjesët më të neglizhuara të pajisjeve shtëpiake.
Ai shpjegon se shumë njerëz fokusohen te vetë pajisja, por harrojnë rëndësinë e gomës që mbyll derën. Sipas tij, gjatë verës frigoriferi punon më fort për të ruajtur të ftohtin, dhe çdo defekt në izolim e rëndon edhe më shumë punën e tij.
Chapman rekomandon një test të thjeshtë në shtëpi që zgjat më pak se një minutë, i njohur si “testi me kartëmonedhë”.
“Vendosni një kartëmonedhë në derën e frigoriferit dhe mbylleni atë, duke lënë një pjesë të saj jashtë. Nëse kartëmonedha tërhiqet shumë lehtë, kjo mund të tregojë se goma nuk po mbyllet siç duhet. Është mirë të përsëritet testi në disa pika të ndryshme të derës”, thotë ai.
Sipas ekspertit, gominat nuk dëmtohen menjëherë, por humbasin elasticitetin gradualisht me kalimin e kohës, përdorimin e vazhdueshëm dhe ekspozimin ndaj papastërtive dhe ndryshimeve të temperaturës.



