Elezi: Sot përfundon numërimi i të gjitha fletëvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që gjatë ditës së sotme të përmbyllë numërimin e të gjitha fletëvotimeve të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 7 qershor.

Sot, pritet të numërohen 8 kutitë e mbetura, në të cilat janë sistemuar fletëvotimet nga votimi me postë jashtë Kosovës dhe fletëvotimet nga votimi me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se me përfundimin e këtyre proceseve, do të hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimare.

“Gjatë ditës së sotme, më konkretisht në ditën e 10 pas ditës së zgjedhjeve, KQZ do të përmbyllë aktivitetet paszgjedhore, të cilat, KQZ i zhvillon për të ardhur deri tek rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultatateve do të numërohet pjesa e mbetur e fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës dhe fletëvotimet nga votimi me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta”, ka thënë Elezi për Klankosova.tv.

Nga votimi me postë kanë mbetur për t’u numëruar edhe tetë kuti.

Kurse, KQZ do të fillojë me numërimin e votave me kusht, i cili është mundësuar në 52 vendvotime, ku janë evidentuar 8,751 votues.

Po ashtu, ka filluar edhe numërimi i fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i realizuar jashtë vendvotimeve, ku për këtë lloj votimi kanë qenë të regjistruar 3,144 votues. /Klankosova.tv

Latest news
Related news