Gjermania, Franca dhe BM duan të rifillojnë bisedimet me Teheranin mbi programin bërthamor të Iranit në një afat të shkurtër, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul.
”Të tre vendet kanë zhvilluar katër takime me udhëheqësit iranianë në muajt e fundit dhe po bëhen përpjekje për të vazhduar bisedimet”, theksoi ministri.
Irani është aktualisht në mes të një përshkallëzimi serioz në luftimet me Izraelin.
“Ne do ta bëjmë edhe një herë të qartë qëndrimin tonë. Ne mund të arrijmë një marrëveshje kontraktuale dhe të shmangim konfliktin e mëtejshëm ushtarak vetëm nëse Irani është plotësisht i përgatitur të përmbahet nga përdorimi i teknologjisë bërthamore për qëllime ushtarake”, tha Wadephul gjatë një ndalese në Qipro, pas një vizite disaditore në Lindjen e Mesme.
”Qeveria në Teheran duhet ta kuptojë urgjencën e situatës”, argumentoi ministri i Jashtëm.
Gjermania, Franca dhe BM zhvilluan bisedime me Iranin midis nëntorit 2024 dhe marsit 2025, ndërsa Shtetet e Bashkuara po zhvillonin negociata paralele.
Pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit të premten, Teherani anuloi një vazhdim të planifikuar të bisedimeve. Irani ka mohuar vazhdimisht se kërkon të ndërtojë një bombë bërthamore, duke thënë se programi i tij i pasurimit të uraniumit është për qëllime civile.



