Finalja e madhe e EuroLeague mes Olympiacos dhe Real Madrid ka ndezur botën e basketbollit europian, me tifozë, analistë dhe ish-lojtarë që po e cilësojnë si “klasiken moderne” të kompeticionit.
Në prag të përballjes të së dielës, rrjetet sociale janë pushtuar nga kujtimet e finales dramatike të vitit 2023, kur veterani Sergio Llull shënoi koshin vendimtar në sekondat e fundit për t’ia dhuruar trofeun madrilenëve.
Për shumë tifozë të Olympiacosit, ai moment mbetet ende një plagë e hapur, ndërsa emri i Llull po rikthehet sërish si “makthi” i skuadrës greke, transmeton Klankosova.tv.
Nga ana tjetër, Olympiacosi po merr vlerësime të mëdha për eksperiencën, disiplinën dhe forcën mentale. Skuadra e drejtuar nga Georgios Bartzokas konsiderohet nga shumë analistë, si ekipi më i fortë defensiv në EuroLeague, ndërsa motivi për hakmarrje sportive pas finales së humbur ndaj Realit më 2023, po shihet si një armë shtesë për klubin nga Pireu.
Edhe atmosfera rreth finales ka kaluar kufijtë e Europës. Interesi i madh nga emra të njohur të sportit botëror dhe vëmendja në rrjetet sociale kanë rikthyer diskutimet për rritjen globale të EuroLeague, me shumë tifozë që e konsiderojnë këtë duel si “finalen perfekte” për basketbollin europian.
Shumica e parashikimeve flasin për një ndeshje të ekuilibruar dhe dramatike deri në sekondat e fundit. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse adhuruesit e basketbollit evropian, po presin me padurim një tjetër kapitull mes dy gjigantëve, që tashmë kanë krijuar një rivalitet legjendar.
Finalja do të luhet të dielën (24 maj) me fillim në orën 20:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në Sport 3 (ArtMotion).



