Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ-ja, i ka hapur rrugë nisjes së konsultimeve mes subjektit fitues dhe partive tjera për formimin e institucioneve, gjegjësisht zgjedhjes së presidentit.
Kjo temë e cila tash e një kohë po sillet në opinionin publik pa ndonjë zgjidhje, u diskutua sot edhe në emisionin Kosova Today me panelistët e ftuar.
E sot me fillim nga ora 15:00, do të mblidhet kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku do të diskutohet edhe për rolin e kësaj partie në konsolidimin e institucioneve.
Opnionistja Anita Shabani, tha se pas takimit pritet të shihet qëndrimi i LDK-së.
Derisa gazetari i Klan Kosovës Ardian Gaxherri, u shpreh se nuk beson se pas mbledhjes do të dihet qëndrimi i LDK-së.
“Së pari z. Kurti ende s’i ka filluar negociatat. Dje është kthyer nga Greqia. Akoma s’i ka filluar as takimet se takimet prej negociatave duhet me ditë me dallu. Se di mundesh me u taku me njerëz me pi kafe por nuk do të thotë se je duke negociuar”, tha Gaxherri.
E nën anën tjetër, gazetari Vullnet Krasniqi, tha se LDK-ja duhet që sot t’i kalojë dy teste.
“LDK-ja sot duhet me i zgjidh dy probleme kryesore. Problemi i parë është na unifikojë qëndrimin e saj. LDK sot duhet ta kalojë një test kryesor që me dalë me një qëndrim, jo me dalë me disa qëndrime. E dyta që duhet të jetë shumë e rëndësishme është që me determinu që Vjosa Osmani, a është personi mbas së cilës ata kanë me institu që me qenë presidente e vendit apo munden me u diskutu edhe emrat e tjerë”, shtoi Krasniqi.



