FSK me dronë në ajër, por pa jelekë në terren: Saga e tenderit 470 mijë euro (VIDEO)

Për më shumë se një vit, tenderi i Ministrisë së Mbrojtjes për furnizimin e FSK-së me 4 mijë jelekë taktikë, ka mbetur i bllokuar në procedura, ankesa dhe rivlerësime. Dhe krejt kjo në kohën kur Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillon kapacitete të reja në fusha si dronët dhe pajisjet moderne.

Tenderi me vlerë të parashikuar prej rreth 470 mijë euro nisi në vitin 2025, por u shndërrua në një proces të gjatë administrativ e ligjor. Procedura kaloi përmes anulimit të tenderit të parë, ndryshimeve të dosjes, shpalljes së fituesit të parë, katër ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP), anulimit të vendimit të Ministrisë dhe rikthimit në rivlerësim.

Fillimisht, Ministria e Mbrojtjes kishte shpallur fituese kompaninë SSI LOG, me ofertë prej rreth 240 mijë euro. Vendimi u kontestua nga operatorët e tjerë, të cilët pretenduan se oferta nuk i plotësonte disa kërkesa teknike dhe profesionale. Pas shqyrtimit të ankesave, OShP më 24 prill 2026 anuloi vendimin e Ministrisë dhe kërkoi rivlerësimin e ofertave.

Pas rivlerësimit, rezultati ndryshoi. Më 10 qershor 2026, Ministria rekomandoi për kontratë grupin e operatorëve Hasan Gjesha B.I. & Ozyigit Textile, me ofertë prej 296,720 euro me TVSh. Megjithatë, edhe ky vendim u kontestua sërish në OShP nga SSI LOG dhe RUNWAY SH.P.K.

Një nga çështjet kryesore të ngritura në ankesat e reja lidhet me dokumentacionin teknik të operatorit të rekomanduar dhe nëse testimet e paraqitura ishin kryer nga një laborator i akredituar sipas standardit ISO/IEC 17025, ashtu siç kërkohej në dosjen e tenderit.

Për këto çështje, KIKS Kosova u është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, OShP-së dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP). Ministrisë iu kërkuan sqarime për procesin e rivlerësimit, vonesat në furnizimin e FSK-së dhe arsyet e trajtimit ndryshe të tenderëve ushtarakë.

OShP-së dhe KRPP-së iu kërkuan sqarime për zbatimin e vendimeve të OShP-së, gabimet më të shpeshta gjatë rivlerësimeve dhe kriteret ligjore për klasifikimin e prokurimeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Deri në publikimin e këtij hulumtimi, Ministria e Mbrojtjes nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara.

Ndiqni në vijim kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë temë:

Më poshtë, gjejeni emisionin e plotë:

Latest news
Related news