Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani, ka bërë thirrje që bartësit e funksioneve publike t’i nënshtrohen vullnetarisht testimit për përdorim të drogës, duke e cilësuar këtë si një çështje me interes kombëtar.
Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Ramadani tha se problemi i drogës në Kosovë nuk po trajtohet seriozisht dhe se përgjegjësinë kryesore e kanë institucionet shtetërore.
“Nuk është sfidë veç politike. Është sfidë kombëtare. E kemi sfidë kombëtare për hapjen e drogave në Kosovë”.
Sipas tij, shembullin duhet ta japin pikërisht ata që udhëheqin institucionet dhe marrin vendime për luftimin e narkotikëve.
“Ata që kanë përgjegjësi publike me udhëheq shtetin në të gjitha nivelet, ata që kanë përgjegjësi me menaxhu paranë e popullit, ata që kanë përgjegjësi me nxjerrë vendime e politika që e detyrojnë policinë, prokurorinë e gjykatat me luftu drogat, ata duhet me dhënë shembullin”.
Ai theksoi se atij testi duhet t’i nënshtrohen vullnetarisht të gjithë personat që ushtrojnë funksione publike.
“Për me u bë polic ose ushtar i Kosovës duhesh me i bë ato teste. E pse për me u bë ministër ose deputet jo? Nëse nuk është me ligj, le ta bëjmë vullnetarisht”, u shpreh deputeti i zgjedhur i Aleancës”, deklaroi Ramadani në Klan Kosova.



