Instituti GAP, ka prezantuar raportin “Politikat Industriale të Gjelbra: Analizë e Kontekstit të Kosovës”, ku edhe u treguan sfidat me të cilat po përballet sistemi energjetik në vend, raporton Ekonomia Online.
Drejtori ekzekutiv i Institutit GAP, Blendi Hasaj ka treguar për punën që është kryer në lidhje me këtë raport, duke thënë se janë realizuar intervista të shumta me bizneset lidhur me tranzicionin energjetik.
“Për ne është me rëndësi me e theksua si fakt që si institut kemi qenë udhëheqës të këtij projekti tash e tri vite apo mbi, duke e koordinuar edhe angazhimin e organizatave të shoqërisë civile në vendet e tjera, falë një rrjeti shumë të mirë të cilin e kemi ndërtuar së bashku ndër vite. Pasiqë edhe sfidat si Ballkan, veçanërisht në këtë fushë, i kemi të ngjashme. Mirëpo përtej kësaj, siç tregojnë edhe punimet tona, në rast se ne shkojmë edhe një hap tutje, pra dalim pak edhe përtej ekonomive tona dhe e rrisim bashkëpunimin mes nesh, normalisht që edhe ndikimi do të jetë mund të jetë shumë më i madh dhe përfitimet mund të jenë shumë më të mëdha. E veçanta e punimit që do ta prezantojmë sot është që kemi shku pak më thellë në ekonominë tonë, duke kryer edhe intervista me bizneset, duke parë se sa janë të përgatitura bizneset për disa nga pjesët që i prek tranzicioni energjetik, e veçanërisht çështjet që kanë të bëjnë me këtë taksën e karbonit të cilën e ka vendosë dhe është në zbatim BE-ja dhe është në zbatim nga fillimi i këtij viti. Por gjithashtu paralajmërojmë pak edhe se çfarë mund të jenë kostot ekonomike të mosveprimit tonë”, tha Hasaj.
Ndërsa, Dritan Nelaj, udhëheqës i programit për Tranzicion të Drejtë të Energjisë, Fondacionet për Shoqëri të Hapur, Ballkani Perëndimor tha se zhvillimet gjeopolitike ndikojnë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, poashtu edhe konkurrenca mes ShBA-ve dhe Kinës bën që Bashkimi Evropian të jetë në mes të këtij tensioni.
“Sidomos pas përfundimit të këtij procesi zgjedhor, që urojmë të japin një mandat të qartë për institucionet, për të vijuar punën e tyre. Besoj të gjithë jeni të vetëdijshëm që le të themi realiteti në të cilin veprojmë dhe jetojmë është bërë gjithnjë e më kompleks. Le të themi sfida apo tensione gjeopolitike që sigurisht ndikojnë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën. Në të njëjtën kohë kemi një konkurrencë strategjike gjithnjë e më të ashpër midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe Kinës, edhe sigurisht që rajoni ynë apo dhe Bashkimi Evropian është mes le të themi këtij tensioni. Në të njëjtën kohë besoj se jeni të vetëdijshëm që inteligjenca artificiale dhe teknologjitë po zhvillohen dhe sigurisht që është e domosdoshme që ne jo vetëm t’i kuptojmë, por në të njëjtën kohë edhe t’i përshtasim dhe t’i përdorim në mënyrë efikase. Nga ana tjetër Bashkimi Evropian po e thellon politikën e vet të gjelbër, që po shkon përtej le të themi kufijve të saj përmes CBAM-it, që besoj tashmë është një fakt për Kosovën edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Dhe padyshim që nuk duhet parë si kërcënim, por duhet parë si një lloj, si një mundësi zgjimi për të qenë proaktivë dhe për ta përdorur për ta përgatitur ekonominë tonë për të ardhmen”, tha Nelaj.
Kurse, Rrona Zhuri nga Instituti GAP e cila edhe prezantoi raportin tregoi sfidat me të cilat po përballet sistemi energjetik në Kosovë.
“Disa nga sfidat tjera që ne i kemi listuar të sistemit energjetik të Kosovës janë edhe ritmi i ngadaltë i zhvillimit të burimeve të ripërtëritshme, krahasuar me objektivat e përcaktuara, një ekspozim i eksportuesve kosovarë ndaj CBAM dhe mungesa e një mekanizmi vendor për tarifimin e emetimeve të karbonit, pastaj mospërputhja e fuqisë punëtore me nevojat e ekonomisë së gjelbër; gjithashtu ka mungesë të një plani gjithëpërfshirës për tranzicionin e drejtë, si dhe një nevojë për investime të larta me mbi 3 miliardë euro. Pavarësisht këtyre sfidave, ne kemi përmendur në raport që një politikë industriale e gjelbër, e cila është e dizajnuar mirë, do të mund të shërbente si një mekanizëm për të lidhur tranzicionin energjetik të vendit me zhvillimin ekonomik industrial. Pra, përmes një politike të tillë, dhe përmes instrumenteve fiskale, granteve dhe subvencioneve, përdorimit të marrëveshjeve për blerje të energjisë të bazuara në ankande, si dhe të kontratave për diferencë, që do të mbrojnë prodhuesit nga rreziqet e tregut, kjo politikë do të ndihmonte shumë në një tranzicion më të lehtë të gjelbër të Kosovës”, tha Zhuri.
Sipas Zhurit politika industriale e gjelbër do të mund të shërbente si mekanizëm për të lidhur tranzicionin energjetik me zhvillimin ekonomik, duke përmendur përfitimet që do të sillte kjo politikë.
“Disa nga përfitimet që një politikë e tillë do t’i sillte vendit, pra janë edhe: përmirësimi i sigurisë energjetike, ulja e emetimeve të gazrave serrë, reduktimi i konsumit të energjisë përmes masave të efiçiencës, rritja e konkurrueshmërisë së industrisë vendore dhe eksportuesve vendorë, krijimi i vendeve të reja të punës në ekonominë e gjelbër, adresimi i mospërputhjes pra të aftësive të punëtorëve të pranishëm në sektorin e qymyrit, tërheqja e investimeve direkte, si dhe qasja më e mirë në fondet e BE-së. Në këtë raport ne kemi përdorur një metodologji të kombinuar. Pra, fillimisht kemi përdorur analiza sasiore dhe cilësore. Të dhënat janë mbledhur nga institucionet vendore si: Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Doganat e Kosovës, Banka Qendrore e Kosovës, gjithashtu është analizuar edhe legjislacioni vendor si dhe dokumentet strategjike. Për më shumë, kemi marrë input duke organizuar, duke bërë intervista edhe me disa biznese në sektorët e prekur nga CBAM. Pra kemi realizuar rreth katër intervista me disa biznese kyçe, gjithashtu kemi bërë intervistë edhe me Odën Ekonomike të Kosovës për të marrë input se si ka ndikuar pra CBAM në sektorin privat”, tha Zhuri.
Ajo tha se sektori i energjisë elektrike në Kosovë është shumë i varur nga termocentralet me linjit, pra sipas saj pothuajse 90% e prodhimit realizohet aty.
“Sektori energjetik i Kosovës, siç e përmenda edhe më herët, është shumë i varur nga termocentralet me linjit. Pra, pothuajse 90% e prodhimit të energjisë elektrike realizohet në termocentralet me linjit. Megjithatë, viteve të fundit është shënuar një progres në zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme, ndonëse i ngadaltë. Nga viti 2018 kur kapaciteti i instaluar i burimeve të ripërtëritshme ishte 116 megavat, në vitin 2025 ky kapacitet arriti në 330 megavat, duke përfshirë prosumatorët. Kosova ka caktuar disa objektive ambicioze në dokumente strategjike të saj, si në strategjinë e energjisë, ashtu edhe në draft-planin për energji dhe klimë. Gjithashtu Kosova është zotuar për disa objektive ambicioze në zbatimin e agjendës së gjelbër evropiane për Ballkanin Perëndimor”, tha Zhuri.
Në fund të raportit Zhuri tha se nevojiten investime për financim në tranzicion të gjelbër, e që sipas saj janë paraparë diku 3 miliardë euro investime për një periudhë të caktuar.
“Tema e fundit që e kemi diskutuar në raport është pjesa e financimit, pra nevojat për investime për financimin e tranzicionit të gjelbër. Sipas strategjisë së energjisë, janë paraparë gjithsej rreth 3 miliardë euro investime për një periudhë 10-vjeçare. Prej këtyre, pjesën më të madhe e zënë investimet në burimet e ripërtëritshme, pra që arrijnë vlerën 1.3 miliardë euro, dhe të cilat parashihet të financohen nga financues privatë, kryesisht, por edhe publikë dhe donatorët. Një tjetër komponent i madh i nevojës për investime është edhe rehabilitimi i termocentraleve ekzistuese me linjit, që arrin vlerën diku rreth 390 milionë euro, si dhe investimet në efiçiencë të energjisë që arrijnë vlerën rreth 350 milionë euro. Sipas një raporti nga Banka Botërore, deri në vitin 2050 Kosovës mund t’i duhen rreth 4.7 miliardë euro investime për të arritur për të bërë tranzicionin energjetik”, tha Zhuri.





