Dronët dhe raketat ruse kanë goditur kryeqytetin ukrainas dhe qytete të tjera, duke vrarë gjashtë persona në rajonin e Kievit, përfshirë një foshnjë gjashtëmuajshe, një vajzë 12-vjeçare dhe një grua, si dhe duke dëmtuar objekte kyçe të energjisë dhe disa ndërtesa banimi të larta.
Sulmet zgjatën në pjesën më të madhe të natës të së martës dhe deri në mëngjesin e së mërkurës, ndërsa Kievi u godit nga të paktën katër raketa balistike. Një seri shpërthimesh të forta mund të dëgjoheshin në të gjithë qytetin, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Thuajse deri në agim, mbrojtja ajrore që targetonte dronët rusë dëgjohej më shumë se zhurma e trafikut.
Sulmi i fundit erdhi ndërsa u raportua se Ukraina kishte nisur një sulm të konsiderueshëm në një uzinë të madhe kimike në Bryansk, në Rusinë jugperëndimore, me raketa Storm Shadoë, të cilat furnizohen nga Britania dhe Franca. Dronët ukrainas goditën gjithashtu rajonin Mordovia të Rusisë.
Shpërthimet e para mund të dëgjoheshin në të gjithë Kievin pak pas orës 1 të mëngjesit dhe më pas rreth gjysmë ore më vonë. Shpërthime u raportuan gjithashtu në Zaporizhzhia, Poltava dhe Dnipro, me sulme dhe alarme për sulme ajrore që vazhduan deri në mëngjes.
Shërbimet e emergjencës shpëtuan 10 persona pasi një zjarr i shkaktuar nga rrënojat e një droni goditi katin e gjashtë të një ndërtese banimi 16-katëshe, ndërsa sulmet shkatërruan gjithashtu dritaret e një qendre mjekësore dhe mbeturina u gjetën në një ndërtesë tjetër banimi, raportoi kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, në kanalin e tij Telegram.
Në lagjen Darnytskyi të kryeqytetit, shërbimet e emergjencës po reagonin pasi mbeturinat e një droni goditën një ndërtesë banimi 17-katëshe duke shkaktuar një zjarr në pesë kate.



