Goditje e madhe për Bashkimin para ndeshjes së tretë finale, Kyan Anderson mbyll sezonin

KB Bashkimi ka marrë një lajm shumë të rëndë para vazhdimit të serisë finale ndaj Trepçës.

Klubi prizrenas ka njoftuar përmes një postimi zyrtar se organizatori amerikan, Kyan Anderson, ka pësuar lëndim dhe nuk do të jetë më i gatshëm për ndeshjet e mbetura të këtij edicioni.

“Pas kontrolleve mjekësore të kryera pas ndeshjes së fundit, lojtari ynë Kyan Anderson ka rezultuar i lënduar dhe nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjet e radhës”, thuhet në njoftimin e Bashkimit.

Trepça aktualisht udhëheq serinë finale me rezultat 2-0 dhe është dy fitore larg shpalljes kampione. Ndeshja e tretë zhvillohet nesër mbrëma në Prizren, aty ku Bashkimi do të tentojë të reagojë pavarësisht mungesës së një prej lojtarëve kryesorë. /Klankosova.tv

Latest news
Related news