Grenlandezët kundërshtojnë deklaratat e Trumpit për ishullin

Qindra banorë të Groenlandës protestuan në kryeqytetin Nuuk kundër hapjes së konsullatës së re amerikane në qendër të qytetit.

Protestuesit u mblodhën para ndërtesës së re trekatëshe dhe, në shenjë pakënaqësie ndaj politikës amerikane, kthyen shpinën nga objekti ku po mbahej ceremonia zyrtare e inaugurimit, duke qëndruar në heshtje për dy minuta. Turma brohoriste slogane si “Shkoni në shtëpi, SHBA” dhe “Groenlanda u takon groenlandezëve”.

Protestat u zhvilluan pas vizitës së emisarit special amerikan Jeff Landry, i cili mbërriti në Nuuk pa ftesë zyrtare dhe deklaroi se ishte koha që Uashingtoni “ta rikthente gjurmën e vet” në Groenlandë.

Vizita e tij ka nxitur reagime të forta, sidomos pasi presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur vazhdimisht dëshirën për të rritur kontrollin amerikan mbi ishullin për arsye sigurie kombëtare.

Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, refuzoi të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së konsullatës, ndërsa shumica e politikanëve vendas munguan në aktivitet. Organizatorët e protestës deklaruan se Groenlanda “nuk është në shitje” dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet të respektojë vullnetin e popullit groenlandez. Një deputete groenlandeze në parlamentin danez tha se mospjesëmarrja e zyrtarëve ishte një sinjal politik ndaj presionit amerikan.

Ndërkohë, SHBA-ja po kërkon rritjen e pranisë së saj ushtarake në rajonin Arktik, ku dikur kishte 17 baza ushtarake gjatë Luftës së Ftohtë. Raportet tregojnë se Uashingtoni po kërkon të zgjerojë praninë në baza ekzistuese dhe të ketë ndikim më të madh strategjik në Groenlandë, gjë që ka shtuar shqetësimet për cenimin e sovranitetit të territorit autonom danez.

Latest news
Related news