Deputetja e zgjedhur e Aleancës, Time Kadrijaj e ftuar në emisionin “DPT Te Fidani” në Klan Kosova ka komentuar deklaratat e ministres serbe Snezana Paunoviq e cila para pak ditësh kishte thënë se po të ‘ishte në vend të Millosheviqit do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën’.
Kadrijaj tha se politikanët serbë do të duhet të pranojnë realitetin dhe të ‘mos shohin ëndrra me sy hapur’, transmeton klankosova.tv.
“Është mirë me pranu realitetin dhe mos me pa ëndrra me sy hapur, Kosova e ka kryer misionin me Serbinë, Kosova e ka një rrugëtim, rrugëtimin evropian. Kosova në vitin 1998-1999 i ka dhënë përgjigjje Serbisë, regjimit të Serbisë, regjimit të Millosheviqit dhe regjimit të cilën po e përkrah ajo pas 30 viteve, është mirë Serbia ta shoh orientimin e saj nga po shkon, Kosova iu ka përgjigj, Kosova ka luftu dhe e ka dëbu me luftë Serbinë”, tha ajo.
Kadrijaj tha se po të jetë nevoja, ajo do të vishet sërish me uniformë për të mbrojtur atdheun.
“Nëse duhet të luftohet, kam me luftu, ne kemi me luftu ne që kemi qenë në luftë që e kemi përjetu luftën…Në asnjë formë nuk mundem me i ik një obligimi kur atdheu ka nevojë”, tha Kadrijaj.
Paunoviq kishte deklaruar se po të ishte në vend të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998.
Pas kësaj deklarate, Kosova e ka shpallur ministren serbe non-grata, teksa kjo deklaratë ka nxitur reagim edhe në Tiranë dhe Bashkimin Evropian.



