Hamza: Janë disa formula për formim të institucioneve, s’ka arsye për përsëritje të zgjedhjeve (VIDEO)

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se vendi duhet të krijojë sa më shpejt institucionet e reja dhe se nuk sheh asnjë arsye për përsëritjen e zgjedhjeve.

Në intervistën në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, Hamza tha se ekzistojnë disa mundësi për formimin e institucioneve, ndërsa theksoi se rezultati zgjedhor është pranuar nga të gjitha subjektet politike.

“Unë dua të besoj që vendi do të ketë institucione. Nuk ka asnjë arsye që të ripërsëriten zgjedhjet. Ka më shumë se një formulë për krijimin e institucioneve. Rezultati është ky që është, zgjedhjet dhe rezultatin zgjedhor e kemi pranuar të gjithë, pavarësisht që gara nuk ishte e drejtë. Janë të faktuara këto dhe ne e kemi kontestuar procesin zgjedhor. Ulëset janë këto që janë”, deklaroi Hamza në Rubikon.

Ai tha se gjatë procesit zgjedhor ka pasur vota “të çuditshme” dhe të vështira për t’u shpjeguar.

“Ka vota të çuditshme edhe vështirë të shpjegueshme, por është çështje e atyre partive politike. Unë e di që kanë qenë pesë ankesa në PZAP, por që të gjitha janë refuzuar . Sa i përket kandidatëve brenda Partisë Demokratike të Kosovës, unë e kam bërë të qartë qëndrimin tim, çdo kandidat që konsideroj që i është cenuar vota me shfrytëzu të drejtën e ankesës”, tha Hamza. /Klankosova.tv

Latest news
Related news