“Fshesë” te Feronikeli, largohen 14 futbollistë

Feronikeli ka nisur një fazë të re të riorganizimit të skuadrës, duke zyrtarizuar largimin e 14 futbollistëve me marrëveshje të dyanshme.

Klubi nga Drenasi bëri të ditur se bashkëpunimi ka përfunduar me Arbios Thaqin, Arion Ymerin, Muhamed Llapashticën, Diellor Besenin, Endrit Kastratin, Samir Sadriun, Jon Qorrin, Bejtë Rexhepin, Adonis Qorrin, Arlind Krasniqin, Ardit Miftarin, Januz Miftarin, Abdeen Abdul dhe Mohamed Ibrahim Ngom.

Përmes një njoftimi zyrtar, Feronikeli falënderoi secilin prej futbollistëve për kontributin e dhënë gjatë kohës sa ishin pjesë e ekipit.

“Sot i japim fund një rrugëtimi të përbashkët, pasi me marrëveshje të dyanshme kemi përfunduar bashkëpunimin me lojtarët. Në emër të gjithë klubit, ju falënderojmë sinqerisht për profesionalizmin, përkushtimin dhe respektin që keni treguar gjatë gjithë kohës sa ishit pjesë e jona,” thuhet në reagimin e klubit.

Klubi theksoi se kontributi i secilit futbollist do të mbetet i vlerësuar, ndërsa u uroi atyre shëndet, suksese dhe arritje në vazhdim të karrierës.

“Ju urojmë shëndet, suksese dhe arritje të mëdha në çdo hap të rrugëtimit tuaj. Dyert e klubit tonë do të mbeten gjithmonë të hapura për secilin prej jush,” përfundon njoftimi i Feronikelit.

Latest news
Related news