Dreshaj kritikon pushtetin për mbylljen e “Vitas”: Argati më i madh po i bëhet Serbisë (VIDEO)

Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, e ka quajtur lajm të rëndë dhe negativ për ekonominë e vendit, vendimin për mbylljen e qumështores “Vita”, pas “presionit politik” të ushtruar ndaj kompanisë.

Sipas informacioneve që posedon Dreshaj, Ministria e Bujqësisë ka dhënë sot vendim që vetëm në qumështoren “Vita” të bëhen këto lloj inspektimesh, transmeton Klankosova.tv.

“Sipas informacioneve që kemi, ministria ka pasur vendim që vetëm qumështores Vita t’i bëhet një kontroll e tij, çka ishte e panevojshme. Nuk ishte e nevojshme të bëhej gjithë ky spekulim media, dhe kjo iniciativë që është bërë me mbi 20 inspektorë të ndryshëm, për ta kontrolluar dhe inspektuar një kompani e cila ka arritur suksese jo vetëm në Kosovë, por edhe në Evropë është një kompani që ka arritur kriteret dhe ka standardet jashtëzakonisht të larta, për sa i përket përpunimit, prodhimit dhe infrastrukturës që ekziston në këtë kompani”, u shpreh Dreshaj në Klan Kosova.

Pos tjerash, kreu i LBK-së, tha se ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, bashkë me dikasteret e tij, sipas Dreshajt, këtë të enjte bëri veprime të rrezikshme.

Ndërsa tha se me këtë vendim, sipas Dreshajt, argati më i madh iu bë Serbisë.

“Për fat të keq, ministri i Bujqësisë me dikasteret e tij, sot kanë bërë veprime jashtëzakonisht të rrezikshme, të cilat dëmtojnë imazhin e të bërit biznes në arenën ndërkombëtare, e mbi të gjitha po rrezikon bujqit, blegtarët dhe sferat e tjera që janë të lidhura me kompaninë në fjalë”, tha ai në Klan Kosova.

“Vendimet e qeverisë, e ministrit njëkohësisht, një vendim skandaloz mund ta quajmë, është tepër e rëndë, dhe në këtë periudhë kohore mund të themi se argatin më të madh po i bëhet Serbisë”, tha ai.

Latest news
Related news