Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar deklaratat e ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, lidhur me përdorimin e gazit rus, duke i cilësuar ato si mashtruese.
Përmes një reagimi publik, Hoti tha se, megjithëse Kosova nuk e përdor drejtpërdrejt gazin rus për prodhimin e energjisë, ajo importon energji elektrike nga vende që e prodhojnë atë duke përdorur gazin rus.
“Ja pse deklarata e Rizvanollit është mashtruese. Kosova nuk e përdor drejtpërdrejt gazin rus për energji. Por, Kosova importon energji nga vende që prodhojnë energji duke përdorur gazin rus”, ka shkruar Hoti.
Ai lë të kuptohet se pretendimet e ministres nuk pasqyrojnë tërësisht mënyrën se si sigurohet energjia elektrike për Kosovën, duke theksuar se importi i energjisë nga tregjet rajonale mund të përfshijë energji të prodhuar nga gazi rus.



