Hoti godet VV-në për marrëveshjet me BE-në dhe ShBA-në, paralajmëron ndëshkim më 7 qershor

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se qytetarët e Kosovës do të zgjedhin për partneritetin euro-atlantik të vendit me 7 qershor.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka nënvizuar dy marrëveshje të cilat i cilësoi historike për partneritetin afatgjatë të Kosovës si Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe Marrëveshja e Uashingtonit, raporton KlanKosova.tv.

Ai tha se këto partneriteti nuk janë vetëm përcaktim ekonomik dhe politik i Kosovës, por edhe ekzistencial për të ardhmen euro-atlantike të vendit dhe shqiptarëve.

“Më 7 qershor, qytetarët e Kosovës do të votojnë PËR partneritetin strategjik të Kosovës me BE dhe SHBA. Ky partneritet nuk është vetëm përcaktim ekonomik dhe politik i Kosovës, është ekzistencial për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve”, ka shkruar ai.

Hoti nuk la pa akuzuar edhe partinë në pushtet, Vetëvendosjen.

“Të dyja këto marrëveshje janë kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Për të parën, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë pjesë në votim në Kuvendin e Kosovës kur është ratifikuar. Megjithatë, sot Lëvizja Vetëvendosje e zbaton dhe krenohet me atë marrëveshje.

Ndërkaq, të dytën, Marrëveshjen e Uashingtonit, Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar në Kuvend dhe jashtë Kuvendit dhe e ka quajtur antikushtetuese. Për më tepër, ka adresuar kritika ndaj Administratës Amerikane të atëhershme të udhëhequr nga Presidenti Trump, sjellje kjo në kundërshtim me kodin diplomatik që Kosova kishte ndjekur gjithmonë karshi aleatëve strategjikë. Më vonë, kur Presidenti Trump u kthye sërish në krye të Administratës Amerikane, filluan lajkat nga qeveritarët e Kosovës. Por ishte vonë, pasi projekti i gazit ishte anuluar nga Qeveria e Kosovës, përpjekje për realizim të projekteve infrastrukturore nuk ishin bërë, nuk ishte ndërmarrë asnjë hap për thellimin e partneritetit ekonomik në fushën e investimeve dhe qasjes në tregjet financiare amerikane.” /Klankosova.tv

Latest news
Related news