Policia ka identifikuar autorin e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e 9 korrikut ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi I. Gj., i njohur edhe me disa emra të tjerë. Bëhet fjalë për shtetasin E. S., alias A. S., 40 vjeç, banues në Laç, i cili është shpallur në kërkim.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:10 në Kurbin, ndërsa hetimet e zhvilluara nga ekspertët e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Kurbin kanë çuar në identifikimin e personit të dyshuar si autor, transmeton Klankosova.tv.
Nga verifikimet e kryera rezulton se 40-vjeçari ka precedentë të mëparshëm penalë. Ai është dënuar me 5 vite burgim për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”, ndërsa rezulton me precedent edhe për armëmbajtje pa leje. Gjithashtu, sipas të dhënave të policisë, ai është arrestuar më herët në Belgjikë për vjedhje.
Për kapjen e të dyshuarit janë angazhuar edhe shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, ndërsa kontrollet në terren vijojnë.
Paralelisht, grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë pasur rol në ngjarje.



