Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme vendi do të jetë nën ndikimin e masave ajrore relativisht të qëndrueshme, të cilat do të sjellin mot kryesisht me diell dhe vranësira të herëpashershme.
Sipas parashikimit, temperaturat do të jenë tipike për muajin korrik, me mëngjese të freskëta dhe ditë të ngrohta. Mundësi për riga lokale shiu parashihen të hënën dhe të martën, kryesisht në zona të izoluara, ndërsa në pjesën tjetër të javës moti pritet të mbetet i favorshëm.
Të hënën do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta, të cilat vende-vende mund të sjellin ndonjë rigë shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 13 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 26 deri në 30 gradë. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga veriperëndimi, me shpejtësi 1 deri në 5 metra në sekondë.
Edhe të martën parashihet mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Gjatë ditës, sidomos pasdite, vranësirat mund të sjellin riga të izoluara shiu. Temperaturat minimale do të jenë nga 10 deri në 14 gradë, ndërsa maksimalet nga 25 deri në 28 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi dhe perëndimi me shpejtësi 1 deri në 6 metra në sekondë.
Nga e mërkura deri të premten moti do të mbetet kryesisht i qëndrueshëm. Të mërkurën pritet mot pjesërisht i vranët me temperatura maksimale deri në 29 gradë Celsius, ndërsa të enjten dhe të premten do të dominojë moti me diell dhe vranësira kalimtare, me temperatura maksimale që do të lëvizin ndërmjet 24 dhe 29 gradë.
Në qytetet kryesore të vendit, temperaturat më të larta të hënën pritet të regjistrohen në Prizren, Gjakovë, Istog dhe Junik, ku termometri do të arrijë deri në 30 gradë Celsius. Në Prishtinë maksimalja pritet të jetë 28 gradë, ndërsa në Dragash 26 gradë Celsius.
Sa i përket kushteve agrometeorologjike, IHMK vlerëson se ato do të jenë përgjithësisht të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore. Megjithatë, reshjet e lehta lokale nuk pritet të jenë të mjaftueshme për të plotësuar nevojat ujore të bimëve, prandaj rekomandohet vazhdimi i ujitjes, veçanërisht në kulturat perimore dhe në tokat me kapacitet më të ulët për mbajtjen e lagështisë.
Instituti thekson gjithashtu se kushtet e motit do të jenë të përshtatshme edhe për zhvillimin e korrje-shirjeve të grurit, me ndërprerje të mundshme vetëm në zona të caktuara për shkak të rigave të shkurtra të shiut.
Edhe kushtet biometeorologjike parashihen të jenë të favorshme për shumicën e qytetarëve, falë temperaturave të këndshme gjatë mëngjesit dhe mbrëmjes, si dhe mungesës së vapës ekstreme.



