Nervozohen belgët ndaj FIFA-s për rastin Balogun: Jemi të habitur!

Federata e Futbollit t Belgjikës ka reaguar ndaj vendimit të FIFA-s për ta lejuar Folarin Balogun të luajë në ndeshjen e 1/8-tës së finales së Kupës së Botës 2026 mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Belgjikës.

Në një deklaratë zyrtare, federata belge është shprehur e habitur me vendimin, duke theksuar se Balogun duhej ta vuante pezullimin pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e kaluar.

Sipas RBFA-së, FIFA është mbështetur në nenin 27 të Kodit Disiplinor për të pezulluar zbatimin e dënimit, por federata belge argumenton se neni 66.4 i të njëjtit kod dhe neni 10.5 i Rregullores së Kupës së Botës përcaktojnë qartë se një karton i kuq sjell automatikisht pezullim për ndeshjen pasuese, transmeton Klankosova.tv.

Belgjika thekson se kjo praktikë është zbatuar në të gjitha rastet e mëparshme gjatë këtij Botërori dhe se rregulli është ritheksuar edhe në qarkoret zyrtare të FIFA-s, të dërguara federatave pjesëmarrëse para turneut.

Në fund të reagimit, RBFA njofton se po shqyrton të gjitha mundësitë ligjore për të mbrojtur, sipas saj, të drejtat e ekipeve pjesëmarrëse dhe parimet e lojës së ndershme.

“Për të mbrojtur të drejtat legjitime të të gjitha skuadrave pjesëmarrëse dhe parimet themelore të fair play-t, po shqyrtojmë të gjitha opsionet e mundshme”, thuhet në deklaratën e federatës belge.

Latest news
Related news