Jordania i ka kërkuar Rusisë ta ndalë rekrutimin e qytetarëve të saj në Forcat e Armatosura Ruse, pasi dy shtetas jordanezë u vranë duke luftuar për Moskën.
Në një komunikatë të enjten, Ministria e Jashtme e Jordanisë e quajti rekrutimin “shkelje të ligjit jordanez dhe ligjit ndërkombëtar”, duke thënë se kështu ajo “po i vë qytetarët përballë rrezikut të vërtetë”.
Zëdhënësi i Ministrisë, Fuad al-Majali, u bëri thirrje jordanezëve “ta raportojnë çdo përpjekje për t’i rekrutuar ata në ushtrinë ruse” dhe i paralajmëroi ata se përballen me rreziqe ligjore dhe me vdekje.
Ai tha se Ministria “u ka kërkuar autoriteteve ruse ta ndalin rekrutimin e jordanezëve dhe t’i lirojnë nga shërbimi jordanezët e regjistruar deri tani”.



