Mesditën e djeshme, katër turistë polakë, gjatë eksplorimit të Kanioneve të Gjipes në Shqipëri, kishin rënë në një greminë dhe si pasojë, njëri prej tyre ishte dëmtuar.
Për shkak të terrenit shumë të vështirë, në këtë operacion kërkim-shpëtimi, në ndihmë të shërbimeve të Policisë së Shqipërisë, u angazhuan shërbimet e DELTA Forcës, helikopteri i Forcave të Armatosura, alpinistë të zonave të mbrojtura, zjarrfikës dhe ekip mjekësor.
Helikopteri i Forcave të Armatosura nuk mundi të futej në vendin ku ndodheshin turistët dhe operacioni vijoi nga shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe alpinistët.
Pas shumë kërkimesh dhe përpjekjesh intensive, turistët u evakuuan 2 nga 2 dhe rreth mesnatës, përfundoi me sukses operacioni për kërkim-shpëtimin e tyre.
Turisti i dëmtuar mori menjëherë ndihmën e nevojshme nga ekipi mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetën, ndërkaq 3 turistët e tjerë u evakuuan në gjendje të mirë shëndetësore./abcnews.al



