Ish-pjesëtari i njësitit special për rajonin e Dukagjinit dhe aktualisht zyrtar komunal në Pejë, Bekim Kelmendi, ishte i ftuar në emisionin Ora Shtatë në Klan Kosova, ku foli për luftën, veteranët dhe vlerat e saj.
Kelmendi tha se kontributi për vendin mbetet pjesë e pandashme e jetës së tij, duke theksuar se nuk i harron sakrificat e bëra gjatë luftës.
“Nuk i harroj ato. Mundet që i kemi bërë për këtë vend dhe do të jem gjithmonë gardian i këtij vendi. Më vjen pak turp në këto momente kur nuk respektohet ashtu sa duhet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, veteranët e luftës dhe invalidët. Sido që të jetë, ne jemi gardianë dhe do të mbesim gjithmonë gardianë të këtij vendi”, u shpreh ai.
Duke folur për veteranët, Kelmendi kërkoi që ata të trajtohen me dinjitet dhe respekt, veçanërisht ata që kanë dhënë kontribut të drejtpërdrejtë për lirinë e vendit, duke përmendur këtu familjen Haradinaj dhe Jasharaj.
“Porosia ime është që veteranët e luftës, sidomos veteranët e vërtetë, duhet të respektohen. Ata janë njerëzit që kanë dhënë dhe kanë qenë të gatshëm të japin gjithçka, në mënyrë që sot ne dhe rinia e Republikës së Kosovës t’i gëzojmë këto të mira”, deklaroi Kelmendi.

