Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar sot se posedon informacione që Kina po furnizon Rusinë me armë, përfshirë barut dhe artileri.
Në një konferencë për media të mbajtur në Kiev, Zelenskyy ka thënë se këto informacione vijnë nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës dhe agjencitë e inteligjencës.
“Deri më sot, kemi informacione të përgjithshme nga Shërbimi i Sigurisë dhe inteligjenca për barutin dhe artilerinë. Mendoj se do të mund të flasim më gjithëpërfshirës javën e ardhshme, sidomos për të dhënat sipas të cilave besojmë se përfaqësues të Kinës janë të përfshirë në prodhimin e disa armëve në territorin e Rusisë,” ka deklaruar ai, raporton Euro News.
Kina, e cila publikisht ka mbajtur një qëndrim neutral ndaj luftës në Ukrainë, që nga viti 2022 ka ofruar mbështetje diplomatike dhe ekonomike për Rusinë. Megjithatë, nëse konfirmohen pretendimet e Zelenskyyt, ato mund të përbëjnë një ndryshim të rëndësishëm në qëndrimin e Pekinit dhe të ndikojnë në dinamikën ndërkombëtare të konfliktit.
Presidenti ukrainas shtoi se është i gatshëm të ndajë më shumë informacione në ditët në vijim dhe të diskutojë këtë çështje me partnerët ndërkombëtarë.



