KOMF apelon tek prindërit: Edukoni fëmijët për respekt dhe larg dhunës

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka bërë thirrje që prindërit dhe familjet të luajnë një rol aktiv në edukimin e fëmijëve për të jetuar pa dhunë dhe për të kultivuar respekt, tolerancë dhe mirëkuptim.

Sipas KOMF, dhuna mes bashkëmoshatarëve po bëhet gjithnjë e më e dukshme dhe po normalizohet si sjellje, çka kërkon veprim të menjëhershëm nga familja dhe shoqëria. Familja mbetet mjedisi ku fëmijët formojnë vlerat dhe sjelljet e tyre, ndaj roli i saj është kyç në parandalimin e dhunës.

Në postimin e tyre në Facebook, KOMF u bën thirrje prindërve të flasin hapur me fëmijët për dhunën, të promovojnë sjellje paqësore dhe konstruktive, të ndjekin përmbajtjet që fëmijët konsumojnë dhe të bashkëpunojnë me shkollën për mbështetje. Për çdo shenjë të stresit, ankthit apo agresivitetit, prindërit duhet të kërkojnë mbështetje profesionale.

KOMF thekson se çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një mjedis të sigurt dhe mbrojtës, dhe edukimi i tij me respekt dhe tolerancë fillon brenda familjes, duke ndikuar pozitivisht në shoqërinë e të ardhmes.

The post KOMF apelon tek prindërit: Edukoni fëmijët për respekt dhe larg dhunës appeared first on Klan Kosova.

Latest news
Related news