Një konflikt verbal po pretendohet të ketë ndodhur ditën e sotme në sheshin e Pejës midis disa personave.
Videon e këtij momenti e ka kapur një qytetar i cili e ka përcjellë në redaksinë e Klankosova.tv. Aty paraqiten të paktën katër qytetarë që shihen duke u fjalosur mes vete.
Dy të rinj shihen para standit të Lëvizjes Vetëvendosje, teksa dy persona tjerë, më të moshuar, që qëndrojnë para standit, diskutojnë me ta me tone më të nxehta.
“Ule dorën, ule dorën!”, i thotë qytetari atij që dyshohet të jetë aktivist i LVV-së.
Se çka solli deri te kjo situatë, Klankosova.tv nuk ka arritur të konfirmojë.
Redaksia ka kontaktuar me Degën e LVV-së në Pejë, gjegjësisht me kryetarin Taulant Kelmendi, për të marrë një qëndrim mbi këtë incident.
I njëjti e ka pranuar se ka pasur tension mes të përfshirëve, por ka thënë se njëri nga qytetarët është aktivist i LDK-së, teksa njëri nga personat prapa shtandit nuk është aktivist i LVV-së.
Ndonëse nuk e konfirmoi, Kelmendi la të kuptohet se njëri nga të rinjtë është aktivist i tyre.
Se çka ka çuar deri te kjo fjalosje, ai nuk e tha.



