Krijimi i institucioneve pas zgjedhjeve, Abdixhiku flet në Rubikon (VIDEO)

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ftuar në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova në një intervistë ekskluzive komentoi rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit dhe krijimin e institucioneve të reja të vendit.

Abdixhiku tha se koha e shkurtër që nga zgjedhjet e fundit ‘pamundësoi’ ndryshim të madh në rezultat, raporton klankosova.tv.

Ai megjithatë shtoi se çdo ndryshim eventual për të mirë është i mirëpritur marrë parasysh kohën e organizimit të zgjedhjeve.

“Ne kishim një periudhë shumë të shkurtë prej zgjedhjeve të fundit. Është e paprecedent për Republikën e Kosovës të mbahen tre zgjedhje dhe e paprecedent për një bartës të proceseve që në periudha shumë të ngushta kohore të kemi përballje me zgjedhje të jashtëzakonshme, në raste të tilla zakonisht pritjet janë minimaliste për të pasur ndryshim. Rrjedhimisht çdo ndryshim eventual për të mirë është i mirëpritur marrë parasysh kohën e shkurtë”, tha Abdixhiku.

Tutje, kreu i LDK-së tha se vota e diasporës ndryshoi ‘fatin’ e formimit të institucioneve.

Sipas tij, pa votat e diasporës partitë politike do duhej të gjenin konsensus edhe në formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

“Rezultatin e zgjedhjeve duhet ta analizojmë në dy dioptri. E para është rezultati në Kosovë, në natën e zgjedhjeve. LDK ishte kthyer në rezultatin e shkurtit, në të njëjtën kohë partia e parë kishte rënë në atë 42% e shkurtit po ashtu. Kishim 20 mandate në natën e zgjedhjeve, me votat e mërgatës ndodhi përmbysja edhe substanciale e natyrës së ekzistencës së institucioneve, sepse në atë kohë në natën e zgjedhjeve kishte domosdoshmëri edhe për bashkëpunim pra për koalicion qeverisës, pra edhe për qeverisje, jo vetëm për president, ky ishte vullneti i popullit të Kosovës që jetonte në Kosovë. Po më pas votat e mërgatës, ndryshoi rezultatin 5 deputetë por në diferencë janë 10 sepse kur i merr 5 deputetë njërës palë dhe i shton palës tjetër më pas ndryshon konstruktin e zgjedhjeve. Ne ishim partia e vetme në rritje, edhe në votë edhe në përqindje”, tha Abdixhiku.

I pari i LDK-së thotë se problemi nuk qëndron te formimi i Qeverisë së Kosovës, por te zgjedhja e presidentit të ri të vendit.

“Ne mund të kemi një qeverisje më të dobët, por problemi nuk ka qenë asnjëherë të qeverisja. Problemi ka qenë te zgjedhja e presidentit dhe në thelb ka qenë te mungesa e vullnetit për marrëveshje politike mes partive. Nuk kishim marrëveshje politike herën e kaluar, i pari nuk donte marrëveshje politike me askënd, meqenëse nuk donte me askënd ne për shkak të 60 ditëshit si afat kushtetues me të cilin duhet të shkojmë në zgjedhje nuk arritëm t’i krijojmë këto institucione. Sot e njëjta gjë qëndron, në parim asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket stabilitetit presidencial.

Mund të kesh një qeveri jostabile, por nuk mund të kesh stabilitet institucional nëse nuk arrin ta zgjedhësh presidentin dhe presidenti zgjedhet vetëm me marrëveshje politike”, tha ai.

Tutje, ai tha se partitë politike së pari duhet të flasin për marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, pasi sipas tij në skenarin tjetër Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje.

“Fillimisht janë një rend i gjërë i gjërave që duhet të diskutohen në skenën aktuale politike. E para duhet të diskutohen parimet se si po e shohim këtë natyrë të institucioneve. Para se të flasim për pozita duhet të flasim për parime… Partitë mes vete duhet të takohen dhe ato parti duhet të japin pozicionet e veta, LDK e ka parimin e qartë se do stabilitet. Kushdo që i kërkon zgjedhjet e reja është i çmendur, nuk ia do të mirën Republikës së Kosovës. Pra, partitë politike duhet të kërkojnë stabilitetin institucional si vlerë bazike. E dyta duhet të flasim për marrëveshje të gjerë politike, pra të nisim nga e para nga rëndësia nga pesha nga presidenti të nisim, jo nga Kuvendi, Qeveria e pastaj të flasim për presidentin. Nëse ndodh ndryshe kemi zgjedhje të reja, kaq e thjeshtë është”, shtoi ai.

Latest news
Related news