Kroacia shpërthen ndaj gjyqtarëve pas eliminimit nga Botërori: U dëmtuam rëndë

Pas eliminimit dramatik nga Kupa e Botës, në kampin e Kroacisë nuk e fshehën zhgënjimin për referimin, duke pretenduar se vendimet e gjyqtarëve ndikuan drejtpërdrejt në fatin e ndeshjes ndaj Portugalisë.

Sulmuesi Igor Matanovic zbuloi bisedën që pati me gjyqtarin pas anulimit të golit për pozitë jashtë loje, duke pranuar se pati një kontakt minimal me topin, transmeton Klankosova.tv.

“Sinqerisht, ndjeva një kontakt të lehtë me flokët e mi. E pyeta gjyqtarin, sepse nuk isha 100 për qind i sigurt nëse e kisha prekur topin. Ai më tha se topi ka një çip, i cili tregoi se kishte një kontakt të vogël dhe për këtë arsye u sinjalizua pozita jashtë loje”, deklaroi Matanovic.

Sulmuesi kroat tha se skuadra e tij meritonte më shumë nga kjo përballje.

“Është e vështirë të gjej fjalët e duhura. Luajtëm shumë mirë në pjesën e dytë dhe meritonim më shumë. Ende nuk e kam parë penalltinë, por nëse është akorduar një penallti e tillë… tre gola të anuluar, një pozitë jashtë loje, një shtyllë… nuk kam fjalë. Ishim shumë të pafat”, u shpreh ai.

Edhe përzgjedhësi Zlatko Dalic kritikoi ashpër referimin, ndonëse FIFA konfirmoi se goli i barazimit u anulua me të drejtë për pozitë jashtë loje.

“Referimi ishte shumë i dobët. Nuk morëm pothuajse asnjë vendim në favorin tonë. Ishte një gjykim i keq, por Kroacia humbi dhe nuk kemi shumë të drejtë të ankohemi. Më vjen keq”, tha Dalic.

Në fund, selektori kroat uroi Portugalinë për kualifikimin, por theksoi se ekipi i tij dominoi në pjesën e dytë dhe nuk e meritonte eliminimin.

Latest news
Related news