Kur jeni në një lidhje me dikë, është krejt normale të kaloni shumë kohë së bashku.
Partneri juaj shpesh bëhet një nga njerëzit më të afërt në jetën tuaj, një mik i ngushtë me të cilin ndani momente të veçanta, emocione dhe përvoja të paharrueshme.
Së bashku mund të dilni në takime romantike, të argëtoheni në festa, dhe, natyrisht, të shkëmbeni puthje. Megjithatë, përveç anëve të bukura, është e rëndësishme të jeni të vetëdijshëm edhe për disa rreziqe shëndetësore që mund të shoqërojnë afërsinë fizike.
Herpesi
Herpesi, i njohur në gjuhën e përditshme edhe si “ethe”, shfaqet në formën e flluskave të vogla rreth buzëve ose në gojë. Ai shkaktohet nga virusi herpes simplex dhe mund të transmetohet lehtësisht përmes puthjes.
Mononukleoza
Mononukleoza njihet shpesh si “sëmundja e puthjes”, pasi transmetohet kryesisht përmes pështymës. Simptomat e saj përfshijnë lodhje të theksuar, temperaturë, dhimbje fyti dhe ënjtje të gjëndrave limfatike.
Sëmundja e duarve, këmbëve dhe gojës
Kjo është një sëmundje virale shumë ngjitëse që mund të përhapet edhe përmes kontaktit të afërt. Ajo shkakton simptoma të ngjashme me gripin, si dhe shfaqjen e puçrrave ose plagëve në gojë, duar dhe këmbë. /eo



