Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se e ka goditur sërish Radio Televizionin e Kosovës, siç thotë ajo, me një material tjetër propagandistik të një niveli të ri.
Në një postim në Facebook, Kusari theksoi se transmetimi në Lajmet Qendrore të RTK-së i këngës së Adelina Ismajlit për veriun e vendit është bërë një ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.
Sipas saj, krejt kjo u bë me qëllim që t’u tregohen qytetarëve punët e LVV-së.
“24 orë pas mënyrës skandaloze të raportimit për gjendjen buxhetore të RTK-së, VV godet me materialin tjetër propagandistik të një niveli të ri. VV-ja sonte, një natë para zgjedhjeve lokale në Mitrovicë, në buletinin propagandistik qendror në RTK, i ka dhënë hapësirë një kënge të Adelinës për veri. Kënga ka për qëllim t’i tregojë publikut, përmes pamjeve, të arriturat e VV-së në veri”.
“Fillimisht është paralajmëruar në lajme, hej, në lajmeeeee… kur është hera e fundit që një këngë është promovuar në lajme? Dhe pastaj është transmetuar kënga e plotë. Paramendoni, këngë me pamje propagandistike politike transmetohet në prime time”, ka thënë Kusari.
Më tej, ajo tha se LVV-ja është duke e keqpërdorur pushtetin dhe se RTK-në po e përdor si vegël të vetën.
Po ashtu, Kusari tha se Adelinës Ismajli i është dhënë hapësirë ku nuk u jepet gazetarëve.
“Për të bërë spotin politik propagandistik, Adelinës i është dhënë qasje në hapësirë ku ata që duhet të kenë qasje, pra, gazetarët, nuk lejohen as të afrohen. Këtë e kam konfirmuar me të paktën tre gazetarë kredibilë që unë iu besoj”.
“VV-ja është duke e keqpërdorur pushtetin që e ka, duke e përdorur transmetuesin publik si vegël për t’ia shpërlarë trurin publikut. Turp për VV-në dhe turp për menaxhmentin e RTK-së”, tha ajo.
Në fund, Kusari shtoi: “Ndërkohë, kryeministri Kurti dhe VV vazhdojnë të tallen me familjet e 700 punëtorëve të RTK-së duke i lënë pa paga”. /Klankosova.tv
The post Kusari: VV keqpërdor RTK-në, transmeton spotin propagandues të Adelina Ismailit në lajmet qendrore appeared first on Klan Kosova.



