Njohësi i Kushtetutës, Dritan Kabashi ka thënë se takimet mes liderëve politikë janë të natyrshme dhe se qytetarët kanë pritshmëri legjitime dhe reale që institucionet të funksionalizohen.
Ai iu referua takimeve të Albin Kurtit me liderë e opozitës, Bedri Hamzën e PDK-së dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së.
“Ne si qytetarë kemi një pritshmëri besoj legjitime, por edhe reale që tashmë të funksionalizohen institucionet”, ka thënë mbrëmë Kabashi në Edicionin Special të Klan Kosovës.
“Që një vit e gjysmë ne po ballafaqohemi me zgjedhje parlamentare si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve brenda skenës politike, prandaj mendoj që është koha që të presim një epilog pozitiv”.
Sipas tij, partitë politike do duhet të krijojnë bashkëpunim mes tyre dhe të krijojnë ujdi për të fuqizuar shtetin.
“Padyshim që është hap i mbarë dhe madje është një hap i natyrshëm, kështu do duhej të kishte qenë çdoherë, jo vetëm sot”.
“Jemi një vend i vogël, në kuptimin e përbërjes sociale mund të cilësohemi si homogjenë, prandaj çka është gjithë kjo sagë që po bëhet pa mbarim dhe të mos kemi një ujdi? Nuk shoh asgjë më të natyrshme se të ulen të merren vesh për ta fuqizuar shtetin”, shtoi ai.



