Zvicra ka marrë një goditje të rëndë para çerekfinales së Kupës së Botës, pasi do të jetë pa një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtarës, Johan Manzambi, në përballjen ndaj Argjentinës.
Lajmin e ka konfirmuar selektori i kombëtares zvicerane, Murat Yakin, gjatë konferencës për shtyp në prag të ndeshjes, duke bërë të ditur se mesfushori nuk ka arritur të rikuperohet në kohë, transmeton Klankosova.tv.
“Fatkeqësisht, Johan nuk mund të luajë nesër”, deklaroi Yakin, duke vulosur mungesën e 20-vjeçarit në duelin e fazës çerekfinale ndaj kampionëve në fuqi.
Manzambi kishte munguar edhe në ndeshjen e kaluar, ku Zvicra triumfoi ndaj Kolumbisë në fazën e 1/8 së finales, pasi kishte pësuar një lëndim në gju gjatë një seance stërvitore.
Edhe pse stafi mjekësor bëri përpjekje për ta rikthyer në kohë, talenti zviceran nuk ia doli të jetë i gatshëm për sfidën vendimtare ndaj Argjentinës.
Mungesa e tij konsiderohet një humbje e madhe për Zvicrën, e cila synon të shkruajë histori duke siguruar për herë të parë një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
Manzambi ka qenë një nga futbollistët më në formë të Zvicrës në këtë Botëror, duke kontribuar me tre gola dhe dy asistime në katër paraqitje.
Tani, kombëtarja zvicerane do të tentojë të befasojë Argjentinën e Lionel Messit dhe të vazhdojë rrugëtimin në turne edhe pa golashënuesin e saj më të mirë.



