Tahiri: Korrje-shirjet po ecin mirë, çmimi prej 17 centësh për grurin është i papranueshëm për bujqit

Këtë muaj kanë nisur korrje-shirjet në mbarë vendin, duke shënuar fillimin e një prej periudhave më të rëndësishme të sezonit bujqësor.

E për këtë çështje është deklaruar kryetari i Sindikatës së Bujqve, Tahir Tahiri i cili në një intervistë për Ekonomia Online tha se fushata e sivjetme e korrje-shirjeve po zhvillohet mirë dhe se rendimentet e grurit janë të kënaqshme, por ka ngritur shqetësimin për çmimin e ulët të grurit, për të cilin tha se është i papranueshëm për prodhuesit vendorë.

“Korrje-shirjet sivjet po shkojnë mirë edhe fatbardhësisht gruri është në gjendje të mirë. Dhe moti po merr mirë, edhe pse kemi pasur nja dy ditë me reshje, por qe u përmirësua dhe fushata e korrje-shirjeve po shkon shumë mirë. Rendimentet kemi informacione se janë të kënaqshme, por problemi i cili është tepër shqetësues tek prodhuesit e grurit është çmimi tepër i ulët. Mullinjtë të cilët e grumbullojnë grurin e prodhimtarisë vendore e kanë shoqatat e tyre, të cilët e kanë caktuar një çmim tepër të ulët: 17 cent. Zyrtarisht e kemi informatën se është caktuar një çmim 17 cent, e që për prodhuesit e grurit është e paarsyeshme, krejtësisht e papranueshme”, ka thënë ai.

Tahiri ka deklaruar se para fillimit të fushatës së korrje-shirjeve gruri është importuar me një çmim prej 24 centësh.

“Bujqit janë të shqetësuar se dy-tri javë para fushatës së korrje-shirjeve, kompanitë të cilat e bëjnë përpunimin e grurit kanë marrë grurë nga importi, konkretisht nga Serbia, me çmime 24 cent. Dhe në mënyrë rapide kur fillon fushata e korrje-shirjeve këtu te ne, aty bie çmimi, dhe tek e fundit në mënyrë të çuditshme thirren në bursë. Nuk është e vërtetë se bursa e ka caktuar atë, gjithsesi është në bursë një çmim i tillë, por këtu po manipulohet. E kanë monopolin kompanitë përpunuese të miellit, të cilët po luajnë me fatin e prodhuesve të grurit dhe në këtë mënyrë po i dëmtojnë. Duke ju falënderuar subvencioneve, deri diku bujqit po mbulohen, për mos me punuar krejt me humbje”, tha Tahiri.

Ai tha se monopolet po ndikojnë edhe në sektorë të tjerë të bujqësisë, duke përmendur rastin e fabrikës së birrës në Pejë dhe mungesën e grumbullimit të elbit vendor.

“Kështu, për shembull, ne si bujq e kemi edhe një problematikë që të njëjtat kompani e kanë privatizuar fabrikën e birrës në Pejë. Që deri në vitin 2010 fabrika e birrës në Pejë e ka grumbulluar krejt prodhimtarinë e elbit nga prodhimtaria vendore me dhjetëra mijëra hektarë. Pasi u privatizua, fabrika e birrës në Pejë nuk merr më elb dhe s’prodhohet asnjë hektar elb. Se në këtë mënyrë bujqit janë të dëmtuar, sepse elbi i birrës është një kulturë shumë e përshtatshme për përfitimet ekonomike të bujqve. Dhe tash ata e marrin lëndën e parë nga importi, dhe Peja që kur e ka filluar ka marrë lëndën e parë nga importi, vlerën e birrës e kanë rritur. Kanë monopol edhe në përpunimin e koncentratit. E që ai koncentrat, këtyre fermerëve që prodhojnë qumështin ju kushton shumë. Dhe po ngarkohen gjithë herë me çmimet e larta të repromaterialit që ju shkon për prodhimtarinë e qumështit. Në këtë mënyrë bujqit duhet të kenë një orientim të caktuar: kush po iu krijon probleme? Nuk mund të mendoj se Ministria e Bujqësisë apo shteti nuk është duke ju krijuar kushedi çfarë probleme, por monopoli i të fortëve po luan me fatin e prodhuesve, qoftë të prodhuesve të qumështit, qoftë prodhuesve të grurit, qoftë prodhuesve të kulturave të tjera bujqësore”, deklaroi ai.

Tahiri tha se shteti duhet të gjejë mekanizma për ta zvogëluar konkurrencën jolojale nga importi, ndërsa njëkohësisht bëri thirrje që konsumatorët të mbështesin produktet vendore, por edhe prodhuesit vendorë të punojnë për rritjen e cilësisë.

“Dhe normal që shteti duhet të gjejë metoda me e zvogëluar atë konkurrencën jolojale nga importi. Ne si sindikatë e kemi objektiv që t’i edukojmë konsumatorët që me e marrë prodhimin vendor, e jo me marrë produkte të ndryshme ushqimore nga importi. Mirëpo, ti s’mundesh me ia imponuar. Ne jemi për prodhimtarinë vendore, mirëpo edhe me e imponuar një produkt i cili nuk e ka vlerën e atyre produkteve që vijnë nga importi, s’mundesh me kërkuar. Prandaj ne jemi për me i ndihmuar prodhuesit vendorë, por edhe ata prodhues duhet të kenë hallin e bujqve dhe të tjerëve, edhe të konsumatorëve”, tha ai për Ekonomia Online.

Kryetari i Sindikatës së Bujqve foli edhe për rritjen e kostove të prodhimit dhe nevojën për rritje të subvencioneve për plehrat artificiale.

“Po, është e vërtetë, se ajo faza e çmimeve të larta të naftës, mu në kohën e mbjelljeve pranverore, ajo me siguri që e ka ngarkuar gjithsesi ka ndikuar tek kostoja e prodhimtarisë. Mandej edhe çmimet e repromaterialit, plehrave dhe të farërave nuk janë të lira. Me e marrë me e krahasuar para 10-15 vjetëve, një thes pleh ka kushtuar 7-8 euro, sot kushton 14 euro. Dhe kjo është një faktor i cili tek bujqit po krijon dilema dhe po krijon telashe për një prodhimtari më të mirëfilltë të kulturave bujqësore”, tha ai.

“Shiko, edhe pse Ministria e Bujqësisë, Qeveria i subvencionon plehrat edhe naftën, unë kisha thënë që duhet të ngrihet vlera e subvencionimit tek plehrat sidomos, sepse për mungesë të anës financiare të bujqve ata po reduktojnë sasinë e plehut. Dhe në këtë mënyrë po zvogëlohet edhe rendimenti. Prandaj mu tek plehrat duhet të ketë një lloj subvencionimi më të lartë, për të mundur bujku me e pasur një kosto më të ulët të prodhimtarisë bujqësore. Mandej te çmimi i shitjes së grurit është problematike se me vite të tëra bash në fushatën e korrje-shirjeve çmimi i grurit bie gjithsesi, e imponojnë përpunuesit e grurit, e imponojnë një çmim tepër të ulët i cili po ashtu iu krijon telashe dhe sfida të ndryshme”, u shpreh Tahiri.

Tahiri kërkoi gjithashtu krijimin e mekanizmave për kompensimin e fermerëve në rastet e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore.

“Po ndryshe, me këto të tjerat çështje, me këto problemet e tjera, disa raste kemi pasur ku ka pasur dëme nga breshëri, nga vërshimet, edhe aty nga institucionet, nga Qeveria, kërkohet ose të gjejë mënyrën e sigurimit të kulturave bujqësore, kompanitë të cilat e bëjnë sigurimin, dhe krejt dëmet që shkaktohen nga fatkeqësitë natyrore atëherë t’u bjerë barra atyre kompanive të sigurimit. Ose Qeveria të ndajë një fond të posaçëm ku do të ketë mundësi që bujqit t’i kompensojë aty ku dëmtohen nga këto fatkeqësitë natyrore. Edhe atë me shumën e vlefshme, të konsiderueshme, sepse ka raste kur fermeri dëmtohet 80% ose 70%, e përpara para 3-4 viteve Ministria e Bujqësisë e ka ndihmuar me 25%, prapëseprapë bujku në humbje”, përfundoi Tahiri.

Latest news
Related news